Eurodeputeti Thomas Waits komenton rikthimin e dialogut Kosovë-Serbi

Eurodeputeti i Partisë së Gjelbërt, Thomas Waitz ka komentuar rikthimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Waitz ka thënë se rifillimi i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë është një hap i parë shumë i rëndësishëm, por se ka një porosi.

“Normalizimi i marrëdhënieve duhet të arrihet me kujdes. Cdo zgjidhje që përfshin një zhvendosje të kufijve sipas kritereve etnike mund të rezultojë në destabilizim të rrezikshëm. BE nuk duhet të neglizhojë më tej angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të vazhdojë përpjekjet e reja të ndërmjetësimit. Ne kemi përgjegjësinë historike për të ruajtur paqen në rajon”, ka deklaruar ai.

Vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të fillojë sot nga ora 16:00.

Në njoftimin e Bashkimit Europian është bërë e ditur se nikoqir i takimit, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Hoti takon Presidentin e Këshillit Evropian, flasin për rifillimin e dialogut