Thomas Waitz eurodeputet i Partisë së Gjelbër

Eurodeputeti austriak Waitz, viziton Zallin e Rupës, u premton mbështetje banorëve

Thomas Waitz eurodeputet i Partisë së Gjelbër, ishte dje në vizitë në Zalle të Rupës për t’u njohur më afër me situatën në terren dhe shqetësimet e banorëve të prekur nga ndërtimet e hidrocentraleve.

Organizata “Pishtarët” në një postim në facebook, ka theksuar se vizita e Waitz është e rëndësishme për të parë nga afër shkatërrimin e lumenjve.

“Ishte e rëndësishme që z. Waitz pa nga afër shkatërrimet që i ka bërë Kelkosi në Deçan në emër te ‘energjisë së gjelbert’ sepse në biseda me Kelkosin, edhe përballë evidencës dërrmuese, ata gjithmonë kanë mohuar çdo gjë, dhe jo për tu çuditur, na kanë akuzuar se po shpifim”, thuhet në postim.

Tutje ‘Pishtarët’ kanë njoftuar se nga euro deputeti kanë marrë mbështetje se do të fuqizojë zërin e banorëve të Deçanit.

“Waitz na premtoi se do të vazhdojë të avokojë në emër të mbrojtjes së mjedisit dhe jetesës së banorëve të Deçanit në forume të ndryshme në Evropë. Por vlen të ceket se na premtoj se do të kërkojë edhe nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa sa më parë. Mbështetja e tij e fuqizon zërin e banorëve të Deçanit, dhe për këtë jemi shumë mirënjohës. Por sot nuk ish dashtë që të presim nga komuniteti ndërkombëtarë që të na ndihmojë ta mbrojmë vendin tonë. Kur do t’i kryejmë punët vetë?”, thuhet në postim.

Pishtarët kanë ftuar edhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun që të vizitoj bjeshkatarët e Deçanit.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje dhe e inkurajojmë Ministrin Liburn Aliu që të gjejë kohë dhe të vijë në Deçan e të bisedojë me bjeshkatarët, që jetojnë aty me dekada, për rehabilitimin e Zallit të Rupës dhe të ardhmes së jetesës së tyre në atë bjeshkë, ashtu siç beri edhe z. Waitz që gjeti kohë të vijë nga Austria. Për më tepër, përfshirja e publikut në vendim marrje është obligim ligjor”, thuhet në njoftim.

Tutje organizata ‘Pishtarët’ ka njoftuar se eurodeputeti Waitz ka qenë aktiv në këtë çështje dhe SLAPP paditë e Kelkosit ndaj nesh që nga viti i kaluar, duke i ngritur nëpër forume të ndryshme europjane, përfshirë edhe në parlamentin e Carinthias, ku është i bazuar Kelagu/Kelkos. Violavon Cramon, MEP, Vjosa Osmani, Mimoza Kusari, Albin Kurti, Jeta Xharra, Kallxo.com, Koha.net

Përfaqësuesja e organizatës jo-qeveritare ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj, është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet për dëmtim të imazhit ku si dëmshpërblim kërkohen 100 mijë euro.

Në vitin e kaluar edhe aktivisti ambiental, Adriatik Gacaferi është paditur nga kompania “KelKos Energy” me pretendimet se ka dëmtuar reputacionin me një publikim në facebook ku ai ka treguar për pasojat e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

“KelKos Energy” ka ndërtuar tri hidrocentrale në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi II’, ‘Belaja’ dhe ‘Deçani’.

“KelKos” po ashtu kishte blerë edhe hidrocentralin “Lumbardhi”, i cili më parë ka qenë hidrocentral funksional në grykën e Deçanit.

“KelKos”-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike me 14 tetor në tre hidrocentrale te gryka e Deçanit dhe pas një muaji Zyra e Rregullatorit të Energjisë i kishte dhënë licencë 40 vjeçare për prodhim të energjisë.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale