Foto: Instituti i Mjekësisë Ligjore. Facebook

EULEXI-i mbështetë Institutin e Mjekësisë Ligjore për kërkimin e personave të zhdukur

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se po mbështesin Institutin e Mjekësisë Ligjore në punën në terren për kërkimin e personave të zhdukur.

Sipas EULEX ky është një proces kompleks që kërkon bashkëpunimin e specialistëve të mjekësisë ligjore dhe palëve të përfshira.

“Arkeologu mjekoligjor i EULEX-it po ofron ekspertizë teknike në gërmimet në lokacionin Stavajl në Serbi. Javën e kaluar, antropologia mjekoligjore e EULEX-it mbështeti IFM-në në zhvarrosjen e mbetjeve në Pllanjanë në Kosovë dhe këtë javë po mbështet vlerësimin e dy lokacioneve në rajonin e Kamenicës”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Institutit për Mjekësi Ligjore i Kosovës ka njoftuar se po vazhdon kryerjen e gërmimeve hulumtuese dhe zhvarrimeve në operacionet e ndryshme fushore, si në territorin e Kosovës, ashtu edhe në territorin e Serbisë.

IML ka njoftuar se në lokacionin e Shtavalit, punimet kanë filluar me 10 maj 2022 dhe planifikohet që të zgjasin edhe javën tjetër në kuadër të gërmimeve hulumtuese për varrezë masive.

“Në territorin e Republikës së Kosovës, ekipet mjekoligjore që dy ditë janë duke realizuar operacionin fushor në fshatin Hubovc, Komuna e Kamenicës. Në javën e kaluar është kryer zhvarrimi i mbetjeve mortore të një rasti në fshatin Pllanjan, Komuna e Prizrenit”, ka njoftuar dje IML në Facebook.

Tutje Institutit për Mjekësi Ligjore  ka njoftuar se gjatë vitit 2022, në territorin e Kosovës janë realizuar gjashtë operacione fushore, prej të cilave katër kanë rezultuar me gjetje mjekoligjore.