EULEX trajnon stafin e ShKK-së se si t’i menaxhojnë të burgosurit me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë

EULEX ka organizuar një punëtori për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) për mënyrën se si të menaxhohen të burgosurit me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë.

Në njoftimin e tyre thuhet se kjo punëtori treditore ka pajisur stafin e ShKK-së me njohuri mbi mënyrën se si t’i dallojnë të burgosurit që shfaqin këto probleme, si dhe i ja njoftuar ata me mjetet praktike për menaxhimin e suksesshëm të tyre.

“Duke e pranuar se menaxhimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë është shumë sfidues, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, theksoi se EULEX-i ka avokuar për një pjesë të dedikuar në kuadër të ShKK-së me hapësirë adekuate për këtë grup të burgosurve”, thuhet tutje.

Në këtë punëtori Vahakoski ka thënë se ka kapacitet të tepërt të shtretërve nëpër burgje dhe në qendrat e paraburgimit, prandaj kjo hapësirë do të shfrytëzohet për të krijuar një hapësirë të caktuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.

“Një hapësirë e tillë do t’i mundësojë ShKK-së që t’i trajtojë këta të burgosur me kujdes të veçantë dhe me vëmendje adekuate”, tha ajo.

Ndërsa, Ali Gashi nga ShKK, i ka inkurajuar pjesëmarrësit që t’i shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë praktike të fituara gjatë kësaj punëtorie.

“Ekziston nevoja e vazhdueshme për edukim dhe trajnim të stafit të ShKK-së, sepse ne përballemi me sfida të natyrave të ndryshme të cilat duhen trajtuar. Kjo punëtori është jashtëzakonisht e rëndësishme për SHKK-në, veçanërisht për personelin e burgjeve që merren drejtpërsëdrejti me këto çështje në baza ditore”, ka thënë ai.

Trajnues në këtë punëtori ka qenë Thijs Biemans, i cili është edhe këshilltar në Institutin Edukativ të Sistemit Holandez të Shërbimit të Burgjeve.

Sipas njoftimit të EULEX, ai ka përdorur metoda universale të trajnimit gjatë gjithë punëtorisë.

Të njëjtit thanë se këto metoda janë të zbatueshme kudo në botë, siç është edhe intervistimi motivues.

“Pas trajnimit, stafi i ShKK-së duhet të jetë më i vetëdijshëm se si t’i angazhojë të burgosurit për t’i bërë ata të mendojnë për ndryshimet e tyre në jetë”, ka thënë Biemans.

Tutje ai kishte shtuar se të burgosurve me probleme të shëndetit mendor duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje, kjo sepse ata përballen me një rrezik në rritje të depresionit dhe sfidave të tjera të shëndetit mendor.

EULEX ka njoftuar se që nga muaji shkurt i vitit 2020, këshilltarët korrektues të tyre i kanë mbajtur 16 punëtori të këtij lloji, duke i trajnuar më shumë se 200 zyrtarë të ShKK-së dhe shtatë pjesëtarë të personelit të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës.