Pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës

EULEX: Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt

Së shpejti, Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX do të përforcohet me një Njësi Policore të Specializuar prej prej 92 pjesëtarësh të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR).

Ky përforcim në EULEX erdhi gjatë luftës në Ukrainë dhe përgjatë zërave për një konflikt të mundshëm që mund të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për BIRN, Misioni për Sundimin e Ligjit nga BE tha se “situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt”.

Të pyetur nëse ky dislokim ka lidhje me luftën në Ukrainë dhe frikën e hapjes së një “fronti të dytë” në Ballkan, EULEX tha se dislokimi i xhandarëve është përgjigje ndaj nevojës së EULEX-it për “forca shtesë në terren dhe [për] mbështetje më të mirë për homologët e saj kosovarë nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme”.

Për momentin, pavarësisht situatës së luftës në Ukrainë, nuk ka shqetësime të rëndësishme të sigurisë që mund të kërkojnë aktivizimin e EULEX-it në Kosovë si “reagues i dytë i sigurisë”, tha EULEX për BIRN.

“Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt. EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, në përputhje me mandatin e Misionit”, tha EULEX.

Sipas EULEX, invazioni rus i Ukrainës vendos gjithçka në një këndvështrim tjetër.

“Siç tha Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell, ndikimi rus mund të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor”, shtoi EULEX. 

Josep Borrell ishte shprehur i frikësuar se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë por se ndikimi rus mund të shtrihet edhe në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkanin Perëndimor.

 “Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në të gjithë rajonin”, kishte thënë Borrell tha në një konferencë shtypi më 27 shkurt në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën në Ukrainë.

Sipas EULEX-it, ata mund të vendosin xhandarë shtesë sa herë që gjykohet e nevojshme të ketë trupa shtesë për të ruajtur sigurinë, për të pasur një prani shtesë në terren për të kryer detyrën e tij si reagues i dytë i sigurisë.

Në shtator të vitit të kaluar, kur në veri të vendit disa banorë të asaj zone vendosën barrigada në rrugë, autoritetet e sigurisë në vend kërkuan nga Bashkimi Evropian prezencë të shkaktuar të forcave të EULEX-it në veri të Kosovës, përkatësisht në dy pikë-kalimet kufitare, në Bërnjak dhe Jarinjë.

“Zhvendosja e një njësie të rregullt policore polake në përgjigje të një kërkese të Policisë së Kosovës në shtator 2021, pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Brnjak/Tabalije dhe Rudnicë/Jarinje, tregoi nevojën për EULEX-in”, thuhet në njoftim.

Njësia përforcuese do të përbëhet nga 42 xhandarë nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia. Një ekip ishte planifikuar të zbarkojë më 14 mars.

Xhandarët do të vendoset në Kompleksin Mbështetës në Fushë Kosovë dhe do të jetë nën komandën e EULEX-it. Njësia e Rregullt e Specializuar e Policisë aktualisht përbëhet nga 105 policë polakë me seli në Mitrovicë.

Përveç Misionit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në Kosovë që nga paslufta është i vendosur për të garantuar sigurinë e vendit edhe Misioni i NATO-s, KFOR. Kjo forcë ushtarake numëronë afër 3 mijë ushtarë në Kosovë.

EULEX-i filloi misionin në Kosovë në vitin 2008, pasi Kosova shpalli pavarësinë.

Në fazat e hershme të pavarësisë, EULEX-i u vendos në Kosovë për të ndihmuar autoritetet lokale në krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura dhe sundimin e ligjit, fillimisht duke zëvendësuar dhe marrë shumë kompetenca nga sistemi i drejtësisë i administruar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Njësia Policore e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës dhe ofron mbështetje për Policinë e Kosovës në kontrollin e turmës dhe trazirave, përmes këshillave dhe sesioneve të përbashkëta trajnuese. Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, ndërsa forca paqeruajtëse e KFOR-it është reaguesi i tretë i sigurisë.

Forca Evropiane e Xhandarmërisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e organizuar, e fuqishme dhe e dislokueshme. EUROGENDFOR mund të vihet në dispozicion të BE-së, OKB-së, OSBE-së, NATO-s dhe organizatave apo koalicioneve të tjera ndërkombëtare.