EULEX prezanton raportin për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX ka prezantuar “Raportin Special për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë”.

Sipas këtij raporti, në përgjithësi sistemi i drejtësisë i është përshtatur situatës me pandeminë mirëpo ka pasur mangësi në disa raste sa i përket mbajtjes së distancës brenda gjykatoreve.

Në këtë seancë shefi i misionit të EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, tha se është i impresionuar me punën e institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës në përshtatjen dhe qëndrueshmërinë, në menaxhimin e pandemisë.

Wigemark përmendi dhe rastet e rritura të dhunës në familje gjatë periudhës së mbylljes në pandemi, për të cilat sipas tij do të bëhet raport i veçantë.

“Në kohën e finalizimit të këtij raporti special, misioni nuk kishte një pasqyrë të mjaftueshme  gjithëpërfshirëse dhe të dhëna të mjaftueshme të verifikuara të dhunës në familje, për të nxjerrë konkluzione definitive. Ne planifikojmë të përfshijmë një analizë të detajuar për dhunën në familje, në raportin tonë të ardhshëm të rregullt sistematik dhe tematik”, tha Wigemark.

Ai ceku përdorimin e teknologjisë në lehtësimin e punës gjatë pandemisë, e cila sipas tij duhet të jetë e rregulluar në fushën e sundimit të ligjit.

Ndërsa zëvendësministrja e drejtësisë, Nita Shala tha se garantimi i sundimi të ligjit mbetet parim themelor dhe se raporti në fjalë ofron një pasqyrë kritike të sfidave të veprimeve të marra nga institucionet gjegjëse.

Shefi i njësisë së EULEX për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, përmendi sfidat me të cilat sistemi ligjor po përballet, veçanërisht ai tha se mbajtja e seancave në salla të vogla të gjykimit në raste kur kishte shumë të akuzuar dhe mbajtja e seancave në salla të mëdha ku kishte më pak të akuzuar paraqet shqetësim serioz.

Tutje ai ceku se është e rëndësishme të identifikohen rastet urgjente të cilat janë me prioritet dhe rekomandoi që mediat të vazhdojnë të bëjnë monitorimin e seancave gjyqësore, duke respektuar masat ndaj COVID-19

Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Hannele Vahakoski, përmendi efektin e pandemisë në kufizimin e vizitave ndaj të burgosurve, në mënyrë që të mos përhapet virusi.

Skender Çoçaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se i mirëpret rekomandimet e dalura nga ky raport dhe tha se Këshilli Gjyqësor do të angazhohet në zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Tutje ai ceku se kanë mbajtur disa seanca online, se janë munduar që të bëjnë shumë veprime në mënyrë elektronike dhe se kanë kërkuar që rastet e dhunës në familje të trajtohen në mënyrë urgjente.

“Pasi në këtë kohë, kemi pasur rritje të dhunës në familje, këto raste i kemi përcaktuar si top prioritet”, tha Çoçaj.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se rekomandimet e nxjerra nga ky raport special, do t’i analizojnë dhe zbatojnë me kujdes.

Ndërsa Rasim Selmani, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës poashtu vlerësoi punën e bërë nga EULEX.