Mbjellja e drunjve nga EULEX në oborrin e Qendrës së Studentëve, Foto: KALLXO.com

EULEX mbjell drunj në Qendrën e Studentëve në Prishtinë

40 drunj u mbollën sot në Kampusin e Qendrës së Studentëve nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë -EULEX.

Në këtë aktivitet morën pjesë Kryesuesi i Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.

Wigemark tha se ky aktivitet është bashkëpunim me OJQ-në “Keep It Green” dhe po ashtu pjesë e iniciativës së Presidentes Vjosa  Osmani për mbjelljen e 1 milionë drunjve në Kosovë.

Qëllimi i këtij aktiviteti sipas tij nuk është vetëm mbjellja e drunjve që do të duken bukur, por edhe zvogëlimi i karbonit dhe gjurmëve të tij.

Ai pati edhe një mesazh për bashkëatdhetarët në diasporë, duke thënë se nëse secili prej tyre do të mbillte nga një dru, qëllimi do të arrihej shumë shpejt.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se mbjelljen e 1 milionë fidanëve synojnë ta përmbyllin deri në fund të këtij viti.

Ai përmendi edhe veprimet e ndërmarra nga qeveria si aprovimi i strategjisë për pylltari, aprovimi i pyjeve të Kosovës, krijimin e task forcës për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve dhe themelimin e trupave këshill-dhënës që i kontribuojnë aspektit të menaxhimit më të mirë të pyjeve të Kosovës.

“Edhe mbjellja në këtë kampus e këtyre fidanëve e ka simbolikën e përmirësimit të gjendjes ambientale, sekuestrimit të karbonit, i cili është njëri prej veprimeve që ne po e përgatisim si ministri që në të ardhmen të ndikojmë në aspekt substancial në ndryshimin e parametrave ambiental” – shtoi Peci.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, falënderoi pjesëmarrësit dhe u zotua për mirëmbajtjen e drunjve.