EULEX: Jemi duke e përkrahur komunikimin në mes të Kosovës dhe Serbisë në fushën e sigurisë

Përfaqësuesit e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës janë takuar sot për të diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e Zbatimit të Ligjit, nga Policia e Kosovës, Besnik Sallahu, ka thënë se Policia e Kosovës ka bërë progres sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Kosova ka nënshkruar 96 marrëveshje me shtetet të ndryshme, por mendojmë që Kosova duhet të anëtarësohet në INTERPOL, ne jemi të gatshme për bashkëpunim ndërkombëtar në shkëmbimin e informacioneve. Ndonëse Policia e Kovës është më e reja në rajon ka pasur faktin që të trajnohet prej ekspertëve shumë të rëndësishëm ndërkombëtar siç është edhe EULEX-i”, tha Sallahu.

Sallahu tha se ndonëse Policia e Kosovës është ndër më të rejat në rajon, ka kapacitetet e nevojshme për bashkëpunim ndërkombëtar.

Sallahu përmendi marrëveshjen me EUROPOL-in, për të cilën tha se vazhdimisht kanë shkëmbime të informacioneve kundrejt luftimit të krimit të organizuar.

“I kemi pasur 89 raste të shkëmbimit me Europol  prej tyre më të shpeshta kanë qenë rastet e krimit financiar dhe trafikimin me qenie njerëzore.  Kosova ka mënyra të ndryshme për të kontribuar në luftimin e krimit dhe marrëveshja me Europol na jep mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë”, deklaroi Sallahu.

Kurse Vinicio Ceola, udhëheqës i ekipit të Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, tha se bashkëpunimi ndërkombëtar me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës është duke u zhvilluar me intensitet të lartë.

“Jemi duke punuar nën ombrellën e UNMIK-ut, UNMIK-u është kompetent për këtë komunikim. Jemi duke punuar në kanale të ndryshme të komunikimit. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me Policinë e Kosovës, për tu munduar për të gjetur zgjidhje dhe shkëmbim e informacioneve”, deklaroi Ceola.

Po ashtu, Ceola tha se pjesë e këtij komunikimi në shkëmbimin e inflamacioneve ndërkombëtare nga fusha e sigurisë janë edhe autoritetet e Serbisë.

“Po ashtu jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Serbisë sa i përket shkëmbimit të informacioneve të sigurisë. Në 2009 EULEX ka nënshkruar një marrëveshje me ministrinë e Serbisë, për krimet e rënda dhe krimet e tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë, këto kanale të komunikimit janë shumë të ndjeshme dhe EULEX-i po e përkrah dhe udhëheq sa më shumë që ka mundësi komunikimin në mes të Kosovës dhe Serbisë, mendojëqë kjo është vetmja mënyrë e komunikimit me Serbinë”, tha Ceola.

Bashkëpunimin në mes të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në luftimin krimit të organizuar global, Ceola e cilësoi si interes të përbashkët, duke shtuar se një bashkëpunim i tillë do t’i kontribuojë ndërtimit të një Kosove dhe Evrope më të sigurt për të gjithë qytetarët.