Maria Bamieh, ish prokurore e EULEX-it.
EULEX i quan thashetheme të pabaza akuzat e ish-prokurores Maria Bamieh
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka reaguar ndaj akuzave të ish-prokurores Maria Bamieh.
Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar sot në një konferencë për media në Prishtinë ka njoftuar në detaje rastin e saj gjatë kohës sa ishte në EULEX dhe me sfidat me të cilat është përballur nga koha kur kishte filluar të sinjalizonte se diçka nuk ishte në rregull.
Bamieh tha se ka pasur qasje në përgjime të ligjshme, e nga të cilat pastaj ka kuptuar për ndërhyrje e ka pasur dyshime për korrupsion.
EULEX i quan thashetheme të pabaza akuzat e ish-prokurores Bamieh.
“Në konferencën e sotme për shtyp, ne e kemi dëgjuar Maria Bamieh të përsërisë akuza, thashetheme dhe përgojime të pabazuara. Bamieh nuk e prezantoi as edhe një provë të re.Provat e mbledhura gjatë hetimeve të bëra nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës gjatë vitit 2016 nuk kanë vërtetuar ndonjë shkelje nga ish-gjyqtari i EULEX-it në qendër të këtyre akuzave”, thuhet në reagimin e Eulex.
EULEX tutje potencoi edhe rastin e Bamieh në Britani të Madhe, ku sipas misionit, rasti ishte hedhur poshtë në vitin 2018.
“Përveç kësaj, rasti i Bamieh kundër EULEX-it në Britani të Madhe ishte hedhur poshtë në vitin 2018. Ajo kishte filluar një procedurë civile në Britaninë e Madhe në lidhje me çështjet e punësimit kundër punëdhënësit të saj (FCDO), Misionit dhe kolegëve të saj, disa prej të cilëve ajo i përmendi sot”, shton më tej Eulex.
EULEX bashkangjiti edhe një raport të një eksperti ligjor lidhur me mandatin e EULEX-it, të kryer në vitin 2015.
“Në vitin 2015, një raport nga një ekspert ligjor i pavarur e shqyrtoi zbatimin e mandatit të EULEX-it me theks të posaçëm në trajtimin e këtyre akuzave. Ky raport është në dispozicion këtu“, thuhet në reagimin e EULEX-it..
Bamieh, një ish-prokurore e EULEX-it, ra dakord për një marrëveshje që thuhet se arrin në 423,000 funta me punëdhënësin e saj, Zyrën e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit, pasi ajo nisi një rast duke pretenduar se kontrata e saj ishte ndërprerë gabimisht pasi ngriti dyshime për korrupsion në EULEX.
EULEX “i pandikuar” nga pagesa e qeverise britanike ndaj sinjalizueses