
EULEX-i mohon se ka marrë kërkesë për mbështetje nga Prokuroria e Beogradit për Banjskën
Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, duke përmendur sumin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023, ka reaguar duke e sqaruar mandatin e tij në Kosovë.
Në reagimin e EULEX-it, thuhet se që nga viti 2018, ky mision nuk mund të kryejë asnjë hetim penal.
Gjithashtu ka mohuar se ka pranuar kërkesë të drejtpërdrejtë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd, për ngjarjet në Banjskë, për çka autoritet kosovare kanë ngritur aktakuzë kundër Milan Radojiçiqit dhe grupit të tij.
“Prej vitit 2018 EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv. Prandaj, EULEX-i ligjërisht nuk është në gjendje të kryejë asnjë lloj të hetimeve penale, siç është hartimi i raporteve të incidenteve, mbledhja e provave fotografike, raporteve të autopsive, raporteve mjekësore të të dëmtuarve, ekzaminimit të armëve dhe eksplozivëve, dëshmive të dëshmitarëve, etj. EULEX-i nuk ka marrë asnjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd në lidhje me rastin”-thuhet në reagimin e EULEX-it.
Mes tjerash, thuhet se në rast se Prokuroria Themelore e Beogradit, kërkon mbështetje nga EULEX-i, kërkesa shkon përtej fushëveprimit të mandatit aktual.
“Mandati i EULEX-it përfshin, ndër të tjera, mbështetjen për Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtarë duke e lehtësuar vetëm shkëmbimin e informatave policore midis Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është Përfaqësuesi Special i BE -së (PSBE) në Kosovë e jo EULEX-i, ai i cili është përgjegjëse për lehtësimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe autoriteteve gjyqësore dhe prokuroriale të vendeve mosnjohëse, përfshirë Serbinë. Një kërkesë e tillë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd, nëse parashtrohet, do të shkonte përtej fushëveprimit të mandatit tonë aktual.”- njoftoi EULEX-i.
Teksa është e paqartë nëse shteti serb do të ngreh aktakuzë ndaj tij, ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024) nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vdekur zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.