Foto: KALLXO.com

EULEX-i i dhuroi 10 automjete misionit këshillues të BE-së në Ukrainë (FOTO)

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ka përcjellur nisjen e konvojit me 10 automjete të EULEX-it për Ukrainë, të cilat do t’i dhurohen Misionit Këshillues të Bashkimit Evropian në Ukrainë.

Derisa, Lars-Gunnar Wigemark, shef i Misionit të EULEX-it ka thënë se këto automjete do t’i dhurohen Policisë së Ukrainës.

Sipas tij, secili prej automjeteve është i mbushur më furnizime humanitare.

“Jemi mbledhur të dërgojmë 10 automjete të EULEX-it, dhe dy automjete për të burgosur, këto dy automjete do t’i dhurohen policisë së Ukrainës. Secila prej këtyre automjeteve është e mbushur me furnizime humanitare të blera nga stafi i Eulex Kosova. Stafi ynë gjithashtu ka mbledhur para të gatshme për të mbështetur 23 familje të ndodhura jashtë vendit”, ka thënë Wigemark.

Ai potencoi se shumë qytetarë në Kosovë e dinë se çfarë do të thotë të përballesh me agresion.

“Ky donacion është vetëm një pjesë për vëllezërit dhe motrat në Ukrainë. Para 3 muajsh kemi dhuruar jelek antiplumb për ushtarët në Ukrainë. Shumë qytetar të Kosovës e dinë shume mirë se çka do të thotë të jesh refugjatë dhe të përballesh me agresionin”, ka shtuar më tej shefi i Eulex-it.

“E falënderoj zv.kryeministren me të gjitha qëndrimet e politikës së përbashkët me Bashkimin Evropian, përmes këtyre veprimeve Kosova po e dëshmon se ku e ka vendin”, shtoi me tej.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka falënderuar EULEX-in për këtë iniciativë kreative.

Ajo po ashtu përmendi edhe ndihmën që ka dhënë Kosova me strehim të gazetarëve nga Ukraina dhe rezolutën e miratuar në Kuvend që dënon agresionin rus në Ukrainë,

“Dua ta falënderoj EULEX-in për këtë iniciativë kreative. Ne qëndrojmë fuqishëm në anën e Ukrainës, jo vetëm rezoluta e miratuar në Kuvend, por strehimi i gazetareve si dhe sanksionet  ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Qytetarët e Kosovës e kuptojnë fare mirë se në çfarë janë duke kaluar, ju lutem ta shihni solidaritetin si diçka shumë normale. Ju lutem të na bëni me dije të na tregoni cilët janë hapat që duhet ti marrë Kosova për të ju ndihmuar më tutje”, është shprehur ministrja Gërvalla.

Derisa, Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se lufta në Ukrainë ka qenë sfida më e madhe gjeopolitike dhe e sigurisë në Evropë.

Ai theksoi se është krenar për rreshtimin e Kosovës lidhur me sanksionet.

“Lufta në Ukrainë ka qenë sfida më e madhe gjeopolitike dhe e sigurisë për Evropën, unë jam krenar që BE ka reaguar në mënyrë shumë të qartë dhe të fuqishme. BE tashmë ka ndarë më shumë se 4 miliardë euro në ndihmë humanitarë. Jam krenar që BE është pajtuar me këtë grup sanksionesh dhe do të vazhdojmë të shqyrtojmë mënyra sesi ti bëjmë me dije Rusisë se kjo nuk është rruga që duhet ndjekur. Jam krenar sesi Kosova është rreshtuar në mënyrë të qartë me sanksionet, kjo është një mesazh i cili demonstron që Kosova e ka vendin në mesin e familjeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Szunyog.

“Në do të vazhdojmë me prezencën e BE-së në Kosovë, Kosova është lartë në agjendën e Bashkimit Evropian. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe jemi këtu për të bashkëpunuar”, shtoi ai.

Përfaqësuesi Kombëtar i Lartë i Kontigjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko, tha se është krenar që po u shërben partnerëve të tij në Ukrainë.

“Sot kam emocione të përziera, ndihem i turpëruar deri sa shokët e mi janë duke sakrifikuar jetën, jam krenar që sot i shërbej partnerëve tanë që janë të gatshëm të ndajnë barrën që Ukraina nuk është vetëm në ketë luftë. Në emër të tërë popullit të Ukrainës dua ta falënderoj Eulex-in dhe Bashkimin Evropian. Këto donacione përveç inkurajimit mendor do të jenë edhe një mbështetje praktike”, ka thënë Nastenko.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com