EULEX flet për vështirësitë në kërkimin e të pagjeturve

Në ditën ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX u bënë homazhe të gjithë personave të pagjetur, derisa është zotuar që do të vazhdojnë punën për të gjetur vendndodhjen e 1 mijë e 639 personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Të fshehësh trupin e një personi të pagjetur në një varrezë, është njësoj sikur ta fshehësh një libër në bibliotekë. Është shumë e vështirë për ta gjetur”, nis me këtë fjali komunikata e EULEX referuar situatës me të pagjeturit gjatë luftës në Kosovë.

“Një nga sfidat kryesore të hasura nga ekspertët e forenzikës në procesin e përcaktimit të fatit të personave të pagjetur të Kosovës, është fakti që një numër i konsiderueshëm i tyre, janë varrosur në varreza”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

“Problemi kryesor është mënyra e veprimit për fshehjen e varreve. Në kohën kur filloi konflikti në Kosovë, tashmë ishte e njohur se varret masive ishin të dukshme nga ajri. Pra, autorët i fshehën trupat në varre më të vogla, klandestine, madje edhe në varreza të rëndomta për ta bërë më të vështirë kërkimin e personave të pagjetur dhe për t’i fshehur provat e krimeve”, tha arkeologu forenzik i EULEX-it, Javier Santana.

Sipas Tarja Formisto, zëvendësdrejtore e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe eksperte e EULEX-it, afërsisht gjysma e personave të pagjetur të Kosovës janë gjetur në varreza.

Një shembull i mirë i një qasje sistematike për kërkimin e të pagjeturve janë varrezat muslimane në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Zhvarrimet e para ishin bërë qysh në vitin 1999. Deri në fund të vitit 2002, janë kryer 10 zhvarrime dhe janë gjetur 48 trupa”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Ai shtoi se mbledhja e informatave dhe analizat në lidhje me këtë varrezë kanë vazhduar përgjatë viteve të kaluara dhe janë duke vazhduar ende.

“Gjatë 18 viteve të kaluara, janë bërë 24 zhvarrime të varreve individuale klandestine. Numri i trupave të zhvarrosur nga kjo varrezë qëndron në 89”, tha Nikollov.

Sonte, EULEX-i do t’i fikë dritat në selinë e tij në orën 20:00 në mbështetje të iniciativës “Në errësirën e personave të pagjetur”, organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Pagjetur, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare, Forumi ZFD – Programi për Kosovë, Nisma e Re Sociale dhe Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.