EULEX do të përforcohet me rreth 100 pjesëtarë të xhandarmerisë

Një njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).

Kështu u bë e ditur në një komunikatë për media të misionit EULEX.

“NjPS-ja Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.

NjPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është reaguesi i dytë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.

Tutje, në këtë njoftim theksohet se NjPS-ja e rregullt e EULEX-it aktualisht përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë nga Polonia të stacionuar në Mitrovicë. NjPS-ja Rezervë e siguruar nga EUROGENDFOR përbëhet prej 92 xhandarmëve: 42 nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia. Ata do të vendosen në Kompleksin e EULEX-it për Mbështetje në Fushë Kosovë dhe do të jenë nën komandën e EULEX-it. Një ekip paraprak pritet të mbërrijë sot, më 14 mars.

Forca Evropiane e Xhandarmërisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e para-organizuar, e fuqishme, dhe shpejtë e zbarkueshme.

Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për kapacitetet e Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe trazirave përmes këshillave dhe seancave të trajnimeve të përbashkëta.

Mekanizmi treshtresor i reaguesve të sigurisë në Kosovë përbëhet prej Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-it si reagues i dytë dhe KFOR-it si reagues i tretë. Qëllimi i reaguesit të dytë të sigurisë është de-eskalimi i tensioneve dhe rikthimi i rendit publik, si dhe mbrojtja e jetës, integritetit dhe pronës së popullsisë së prekur.