EULEX deklarohet për raportimet se të punësuar të etnisë serbe në mision 'kanë dhënë dorëheqje'

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë -EULEX janë deklaruar lidhur me raportimet se qytetarë serb që janë pjesë e misionit ‘kanë ofruar dorëheqje’.

Në një përgjigje për Kallxo.com, EULEX deklaroi se janë 14 serbë të punësuar dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje.

Sipas zyrës për media të këtij misioni, “Balkan International”, i cili është kontraktor i jashtëm i sigurisë së EULEX-it, ka njoftuar misionin se stafi i tyre që ofron shërbime të sigurisë në Shtëpinë e BE-së në Mitrovicën e Veriut, ka dhënë dorëheqje.

“Në EULEX janë 14 të punësuar serbë dhe asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje. Megjithatë, “Balkan International”, i cili është kontraktor i jashtëm i sigurisë së EULEX-it, ka njoftuar Misionin se stafi i tyre që ofron shërbime të sigurisë në Shtëpinë e BE-së në Mitrovicën e Veriut, ka dhënë dorëheqje”- thuhet nga EULEX.

Lidhur me  këtë çështje, EULEX thekson se ka ofruar praninë e sigurisë në Shtëpinë e BE-së në Mitrovicën e Veriut.

Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat veriore me shumicë serbe kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

E gjitha erdhi pas suspendimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletëqortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Derisa, deputetët e Listës Serbe zyrtarisht kanë dorëzuar sot dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës