Eugen Cakolli FOTO:Facebook

Eugen Cakolli: Vendimi i KQZ-së i drejtë, por duhet plotësuar

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Cakolli në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që telefonimi i votuesve është i nevojshme për garantimin se a janë vërtetë ata që kanë aplikuar, mirëpo ai ka theksuar se vendimi ka nevojë të detajohet.

“Në radhë të parë do të duhej që KQZ-ja përmes një udhëzimi apo vendimi tjetër të përcaktoj numrin e thirrjeve që do të bëjnë secilit votues me qenë se unë besoj që një thirrje e vetme nuk është e mjaftueshme për t’a hequr të drejtën e votimit, duhet të caktohen filtra të kualitetit dhe kontrollit të dyfishtë brenda KQZ-së për të siguruar që secili votues është thirrur njëmend nga ana e stafit jo permanent të KQZ-së”, ka thënë Cakolli.

Tutje Cakolli ka theksuar që KQZ duhet të ketë parasysh edhe elementin kohorë gjatë thirrjes së votuesve nga diaspora.

“E rëndësishme është e përcaktimi i kohës së thirrjeve sidomos në zona të ndryshme kohore për dallim nga e jona, me qenë se është problematik në situata ku KQZ-ja telefonon në Amerikë apo në Kanada, ku atje është periudhë tjetër kohore. Do të duhej që KQZ-ja në intervale të ndryshme kohore madje edhe në ditë të ndryshme të thërras këta votues, në mënyrë që kur të merret vendimi për refuzim të aplikimit të jetë vendim i bazuar dhe të ketë mundësi që votuesi ta ankimoj atë vendim”, ka theksuar ai.

Sipas Cakollit, vendimi si i tillë edhe në formatin që është nuk i përjashton votuesit nga e drejta për të votuar pasi që sipas tij vendimi nuk përcakton që votuesit do të telefonohen vetëm një herë.

“Ky vendim edhe në formatin siç është tani nuk i përjashton votuesit me qenë se ky vendim vetëm i ka hapur rrugë KQZ-së për nxjerrjen e një udhëzimi tjetër plotësues ku përcaktohen modalitet. Madje as në vendim nuk përcaktohet që votuesit të thirren vetëm një herë, unë besoj që gjatë ditëve në vijim KQZ-ja do të nxjerrë një udhëzim të brendshëm për mënyrën e thirrjes”, ka theksuar ai.

Cakolli tutje për KALLXO.com ka vlerësuar se KQZ-ja ka kapacitetet për të zhvilluar një proces të tillë të telefonimit të votuesve.

“Unë besoj që KQZ-ja ka kapacitete për ta kryer këtë operacion me qenë se jemi duke folur për një periudhë dy javore me KQZ-në që do të ketë të angazhuar rreth 100 persona permanent që do të punojnë me 2 ose 3 ndërrime duke e bërë lehtësisht të menaxhueshme këtë metodë të verifikimit”, ka shtuar ai.

Hulumtuesi nga KDI ka përmendur edhe ‘historikun’ e Kosovës me votat nga diaspora duke e konsideruar si një nga hallkat më të dobëta të procesit zgjedhor.

“Operacioni i votimeve jashtë vendit është një prej hallkave më të dobëta të procesit zgjedhor që në vazhdimësi sidomos që nga viti 2017 e tutje ka prodhuar shpesh situata kur pikërisht për shkak të këtij votimi ka pasur minim të integritetit të procesit zgjedhor”, theksoi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës duhet të regjistrohen për votim përmes emailit.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një email adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shqyrtojë vendimin e sotëm sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

 

‘Germin’ e dërgon në PZAP vendimin e KQZ-së për votuesit nga diaspora