“EtnoFest 2024”. Foto: Etnofest.
“EtnoFest 2024”: Etje për jetë që shpërthen në katarsisë përmes poezisë dhe teatrit
Shpetim Selmani dhe Alban Nimani u prezantuan me projektin poetiko – muzikor, “Luftë a tifo”.
Përmes tingujve të muzikës deklamuan poezitë e tyre që ishin një shprehje e revoltës për ambientin e kontaminuar “ konferencat, pisllëku, televizioni”. Asnjë përkëdhelje, asnjë shtëpi e banueshme… në xhunglën teknologjike. Kosova është një automobil i prishur në autostradën e lirisë.
Një performacë e realizuar me këndim muzikë e poezi që intrigoi spektatorët duke i bërë të reflektojnë për temat e trajtuara në performancë, ku poezia flet përmes tingujve të muzikës.
Paraqitja skenike e dy artistëve ishte një prej atyre shprehjeve alternative, si një mënyrë e mirë për ta thënë poezinë duke e afirmuar dhe për ta dalluar atë nga poeziomania që e ka vërshuar Kosovën. Kjo frymë e prezantimit e krijuar nga dy artistë që kanë humbur në pyllin e realitetit përkon me synimet që konsistojnë në përfshirje tematike dhe kërkuese të “EtnoFestit”.
“Etja” për art si etje për jetë
Aktorët e nisin performansën duke kënduar këngë për dashurinë përcjellë me tingujt e flautit dhe çelos.
Në skenë vetëm një shkam tradicional, të tjerat janë aktrim apo etje për aktrim. Një përpjekje grotovskiane për të thithë energji të strukur diku në trupin, mendjen dhe shpirtin e njeriut që pastaj shpërthen në katarsis. Sado tema e performancës është nxjerr nga romani “Pijetorja e madhe” e autori francez Rene Daumal, e përplotësuar nga vijuesit e kurseve të Grotovskit, një tekst që prek skajshmërisht përhumbjen, tjetërsimin me një fjalë dehidrimin nga jeta… në skenën e “EtnoFestit” erdhi si një indicie se çfarë shprehje apo edhe fuqie ka apo mund të ketë aktori, artisti që të oksigjenoj ambientin të cilit po i zihej fryma nga e pavërteta, mungesa e besimit, e dashurisë, e lotit të shteruar që nuk njomë marrëdhëniet midis njerëzve.
Duke ngre çështjen e kahes në të cilën po ecë njeriu, që pikëpyetjen e pikëçuditësen i mban si kapele mbi kokë, përmes aktorit dhe aktrimit si dy njësi që nganjëherë e kundërshtojnë njëra tjetrën dhe ndoshta pikërisht aty është e vërteta e artit teatror, dilema bëhet e dyshimtë e dyshimi bëhet qëllim. A flet, e thotë, aktori përmes personazhit apo personazhi përmes aktorit. A po jetojmë ne apo dikush tjetër po jeton përmes nesh siç thotë popullorja “n’shpinën tonë” që do të thotë se dikush po na kalon kah uji po etjen s’na lë ta shuajmë. Andaj, ne duhet të aktivizojmë rezervat e ndrydhura për të gjetur mënyrën si ta shuajmë etjen.
Durimi, urtia, çiltërsia, gëzimi, besimi për të ndodhë apo jo lumturia, varet pastaj prej asaj se çka duam nga jeta si një shprehje unike e njeriut edhe pse shpesh nuk e dimë çka është dhe themi shqipërisht, “jetë i thënçin”.
Etja vazhdon të thahet dhe tek atëherë kur nuk e ndiejmë më as etjen mund të themi njeriu nuk banon më këtu. Pra gjendja është me rëndësi jo mësimi se si duhet ta tregojmë atë gjendje që i bie aktrim. E aktrimin etnokujtesa jonë sikur e definon “mos më kqyr çka po baj po ngom çka po flas” . Mirëpo fjalës i ka humbur kuptimi ka mbet vetëm eho e saj si intonim si skelet i të vërtetës, e kur mishi kalbet dhe ndahet nga trupi, shpirti nuk banon më aty.
Këngët “Çou Rexho”, “Të kam dasht” të inkorporuara në shfaqje janë rrugë kah ka ecur etja për dashuri dhe ka mbetur e pa njomur. Gjithçka po vdes bashkë me bukurinë, të cilën duam ta shikojmë e jo ta shijojmë. Andaj gëzimi, kënga, dëshira e mbetur vetëm në pijetore e sfidon etjen në antitezë. Ajo nuk shuhet nëse erërat nuk e sjellin një gjeth të gjelbër e mbi të një pikë shiu ku projektohet ylberi derisa vetëtima dhe zhurma e saj i mbesin qiellit.
Mato Biagini nuk e shoi etjen, por e la kuptimin e saj tek aktorët, se përfshirja e aktorit në skenë është si etja. Andaj, esenca është aktori kundrejt spektatorit, andaj Teatri është detektor i të vërtetës në të bërit apo t’mos bërit të diçkajes. Esenca është shkarkimi i energjisë që nuk prodhon estetikë por bëhet bruto produkt për të zhvilluar proceset tjera dhe format e ndryshme të shprehjes teatrore.
Këtë etje dhe shkarkim e provuan si qasje gjatë punës me Mario Biagini: Bislim, Muçaj, Shpetim Kastrati, Sheqerie Buçaj, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Alban Goranci, Teutë Ibriqaj, Fatbardha Shala, Etnike Bogaj, Yzeir Meha, Armend Ballazhi dhe Jeane, producente televizive bashkëshortja e Marios.
“Etno neja” me Erëza Çerkinin
Si çdo mbrëmje për mysafirët e festivalit organizohet ndejë me muzikë e ushqime tradicionale. Në natën e tetë këndoj Erëza Çerkini.
Në frymë festive kënduan e vallëzuan deri vonë pjesëmarrësit edhe vijuesit e “Laboratorit të Grotovskit” bashkë me drejtuesin e këtij laboratori Mario Biagini.
Festa mbyllet sonte, më 18.08.2024, me ndarjen e çmimeve të festivalit.