Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Etem Arifit i humb mandati i deputetit "edhe disa ditë"

Vetëm edhe disa ditë i kanë mbetur që, edhe zyrtarisht t’i humbë mandati deputetit Etem Arifi.

Kështu ka thënë Shkamb Manaj, kryetar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës.

“Mund të konfirmoj që deputeti në fjalë tashmë pothuajse është afër përcaktimit të kohës prej gjashtë muajsh  në vuajtje të dënimit, janë edhe disa ditë dhe komisioni për legjislacion mund të vihet në lëvizje me kompetencë që ta trajtoj kërkesën e kryetares së Kuvendit tani pasi që t’i bëj gjashtë muaj, dhe t’i rekomandoj Kuvendit që t’i marrë ose mos t’i marrë mandatin”, tha Shkamb Manaj në seancën dëgjimore që po mban Gjykata Kushtetuese pas ankesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj votës së Etem Arifit në rastin e votimit te Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës të cilës i prin Avdullah Hoti u zgjodh më 3 qershor 2020 ndërsa vota e Etem Arifit ishte përcaktuese për zgjedhjen e saj.

Etem Arifi u dënua me një vit e tre muaj burg nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa, Kushtetuta e Kosovës, neni 70, ku flitet për mandatin e deputetit thotë se “dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.