Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ETEA, ORCA dhe QHPSM reagojnë ndaj paralajmërimeve të SBAShK-ut për grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar grevë në rast se nuk bëhen pagesat shtesë prej 100 euro në muaj për mësimdhënësit.

Pas këtij paralajmërimi kanë reaguar organizata ETEA, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM kanë reaguar.

Në reagimin e tyre thuhet se SBAShK-u nuk duhet në asnjë rrethanë t’i përdorë nxënësit dhe studentët për plotësimin e kërkesave të tyre.

“ETEA, ORCA dhe QHPSM vlerësojnë që SBASHK-u duhet t’i prioritizojë interesat e nxënësve dhe studentëve dhe në asnjë rrethanë të mos i përdorë si mjet për plotësimin e kërkesave, e sidomos në rrethanat aktuale ku nxënësit dhe studentët janë një ndër grupet shoqërore më të goditura nga masat e ndërmarra për frenimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në reagimin e organizatave.

Tutje, thuhet se ETEA, ORCA dhe QHPSM qëndrojnë prapa kërkesave legjitime të pagave për të gjitha sektorët, duke përfshirë edhe atë të arsimit, por kjo do e rrezikojë edhe më tej mbarëvajtjen e mësimit dhe se është e papranueshme që kjo grevë të bëhen në kurriz të nxënësve dhe studentëve.

“SBASHK, sikurse çdo organizim tjetër sindikal që mbronë të drejtat e punëtorëve dhe synon të avancojë interesat përkatëse, ka të gjitha të drejtat për kërkimin e plotësimit të kushteve materiale, kërkimin e mundësive për avancimin e tyre dhe për trajtimin e barabartë të sektorit të arsimit me sektorët e tjerë të prekur nga pandemia. Por, kjo nuk mund të bëhet duke e rrezikuar edhe më tej mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe është krejtësisht e papranueshme që të bëhet në dhe mbi kurriz të nxënësve dhe studentëve”, thuhet në reagim.

Këto organizata bëjnë thirrje “që të gjendet kompromisi dhe të shqyrtohen forma e mundësi të tjera për t’i shtyrë përpara kërkesat e sindikatës, pa dëmtuar procesin mësimor”.

Sindikata e Arsimit paralajmërime për grevë kishte bërë edhe gjatë vitit të kaluar, për shkak të pakënaqësisë së tyre me pagat.