Eskavatori i KEK-ut del jashtë funksionit pasi ka rrëshqitur

Mbrëmë rreth orës 22:30, një pajisje (eskavatori 8M – bashkëlidhur) në minierën e Korporatës Energjetike të Kosovës ka lëvizur për disa metra mbrapa jashtë planit të operimit.

Këtë njoftim e ka bërë Skënder Bucolli, nga departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete e KEK-ut, duke thënë se intervenimi i menjëhershëm i ekspertëve të minierës ka vënë nën kontroll këtë lëvizje duke ndërprerë punën e pajisjes, stabilizimin dhe sigurimin e saj.

“Ne këtë drejtim menjëherë është formuar komisioni që të bëjë vlerësimin e ngjarjes me ç’rast sipas vlerësimeve preliminare nuk ka ndonjë dëmtim. Ekspertët e minierës janë duke bërë përpjekjet maksimale që kjo pajisje të kthehet në punë sot eventualisht nesër”, thuhet në komunikatë.

Sipas Bucollit, ky është vetëm njëri ndër 12 eskavatoret (në djerrinë dhe qymur) që janë në operim e të cilët vazhdojnë punën pa asnjë problem në prodhim të qymyrit dhe djerrinës si dhe operim normal të minierës.

“Për më tepër, pavarësisht kësaj ngjarje, rezervat e grumbulluara të qymyrit në deponitë e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, garantojnë prodhim të energjisë elektrike pa asnjë pengesë sipas bilancit energjetik të aprovuar”, thuhet në njoftim të lëshuar nga KEK-u.