Është raportuar e zhdukur që nga nëntori, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 25-vjeçares (FOTO)

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e qytetares Arianita Gajtani, e cila është raportuar e zhdukur nga data 20.11.2024.

Sipas njoftimit të Policisë, Gajtani është banuese në Lipjan dhe që nga koha kur është raportuar “e zhdukur” Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh.

Policia ka bërë intervistime të personave të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së Gajtanit, kontrollimin e hyrjeve-daljeve në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që ajo i kishte frekuentuar zakonisht – ambiente të mbyllura e të hapura, analizimin dhe hetimin e çdo lloj informacioni që lidhet me të.

“Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato Policisë përmes numrit 192.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 14.01.2025.