Escobar: Vuçiq siguroi që do të ndikojë tek serbët që të marrin pjesë në zgjedhje
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është deklaruar nga Beogradi në lidhje me situatën në veri, duke bërë thirrje edhe njëherë që të shtensionohet gjendja në veri menjëherë, teksa shtoi se kryetarët e rinj të mos i përdorin objektet komunale dhe Policia e Kosovës të tërhiqet.
“E para është se ne duhet të shtensionojmë situatën menjëherë, kjo nënkupton që ne po shpresojmë që kryetarët të mos i përdorin ato objekte, që Policia e Kosovës të tërhiqet nga ato objekte, por gjithashtu duam të sigurohemi që protestuesit të largohen nga ajo zonë” – tha Escobar.
Ai shton se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka siguruar se do të përdorë ndikimin e tij për të kthyer serbët në zgjedhje, nëse të njëjtat do të mbahen.
“Përveç kësaj, nëse do ketë zgjedhje të reja dhe ne shpresojmë që do të ketë, ne duam që serbët të marrin pjesë pa parakushte dhe presidenti Vuçiq tha se ai do të përdorë ndikim e tij të përpiqet që serbët të kthehen në zgjedhje” – deklaroi Esocbar.
Për datë të zgjedhjeve, ai tha se nuk dëshiron të pres deri në korrik.
“Nuk dua të pres deri në korrik, por pavarësisht kësaj, është një plan që po vazhdon” – tha Escobar.
I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emisari amerikan u shpreh se diskutimet mes Qeverisë dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.
“Besoj që diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe emisarit të BE-së do të vazhdojnë, përtej largimit të tij nga Beogradi, pra nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës deri më tash. Shpresoj që ata të pranojnë se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë përfitim të qëndrueshëm është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet” – tha ai.
Escobar ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të është “i hapur” dhe sipas tij nëse nuk e duan “nënkupton që po marrin një vendim njëpalësh për tu larguar nga bashkëpunimi me komunitetin transatlantik”.
“Por, duhet të theksoj se kjo nuk është vetëm për BE-në, por edhe për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si miq të Kosovës i inkurajojmë të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të rreshtohen me përpjekjet tona për të prodhuar stabilitet rajonal. Ky bashkëpunim është i hapur për Kosovën kurdo që e do, por në të njëjtën kohë nëse nuk duan, nënkupton që po marrin një vendim njëpalësh për tu larguar nga bashkëpunimi me komunitetin transatlantik. Kjo po ashtu është pasojë”- ka deklaruar Escobar.
Më tej, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen dialogut sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij procesi, nënkupton se po i kthejnë shpinën Evropës”.
“Bashkimi Evropian me mbështetje të plotë të SHBA-së e ka bërë të qartë se ky është një proces evropian, dialogu dhe ndërmjetësimi është proces evropian. Duke i kthyer shpinën këtij procesi do të thotë se po i kthejnë shpinën Evropës me të gjitha pasojat që sjell në dështimin e integrimit më të ngushtë dhe marrëdhënieve më të ngushta me Evropën, kjo në vetvete është një pasojë shumë e rëndë”- tha Escobar.
Emisarët Lajçak dhe Escobar kanë qëndruar të hënën dhe të martën në Kosovë dhe janë takuar me zyrtarë të lartë shtetërorë. Ata janë takuar edhe me partitë opozitare dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Pas takimit e të hënës me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.
Që nga mesdita e 26 majit 2023 serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.