Escobar takon shkurt Ali Ahmetin pas përfundimit të takimit trepalësh Kurti- Vuçiq

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar është parë duke qëndruar shkurt me Kryetarin e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetin.

Ky takim i shkurtë erdhi pas përfundimit trepalësh mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Një takim në mes Ahmetit dhe Escobarit ka ndodhur edhe gjatë ditës, për të cilin Ahmeti ka thënë se me Escobarin kanë diskutuar mbi rëndësinë e zgjidhjes së kontestit mes Kosovës dhe Serbisë për stabilitetin dhe ardhmërinë evropiane të mbarë rajonit.

Takimi trepalësh ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë, përderisa tashmë është duke u pritur që Borrell të dal në një konferencë për media dhe të flas lidhur me takimin.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.