Gabriel Escobar

Escobar: SHBA e përkrah iniciativën 'Ballkani i Hapur'

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Escobar nëpërmjet një videolidhjeje, tha se secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

“SHBA-ja e përkrah iniciativën Ballkanin e Hapur. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. “Ballkani i Hapur” është një nga këto iniciativa. Ne përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se kjo iniciative është projekt ekonomik dhe duhet të mbetet i tillë.

“Ju mbështet që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet projekt ekonomik. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, ka thënë tutje Escobar.

Në fund Escobar ka premtuar mbështetjen e SHBA-së në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe rritjen e standardeve në pikëkalimet kufitare me teknologjitë më të larta që i ka në dispozicion.

Nisma rajonale “Ballkani i hapur”, po të mbahet sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë samit për herë të parë do të marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq ditë më parë tha se nuk ka dëgjuar argument se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për shtetin që ai përfaqëson.

Pjesë e këtij samiti nuk do të është Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Me 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.