Gabriel Escobar

Escobar: Retorika e Dodikut çon në izolimin ekonomik të serbëve

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, porositi të enjten udhëheqësin serb të Bosnjës, Millorad Dodik, se kërcënimet e tij për t’u shkëputur nga Bosnja mund të çojnë në izolimin ekonomik të serbëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha përmes një postimi në Twitter se Escobar e paralajmëroi Dodikun se “kërcënimet për shkëputje dhe ndalim të reformave” do të rezultojnë në “asgjë tjetër përveç izolimit dhe dëshpërimit ekonomik”.

Në një konferencë për media të enjten, Dodik tha se shkëputja është diçka që “do të ndodhë”, sepse Bosnja nuk po funksionon.

Megjithatë, “ne nuk kemi asnjë plan”, shtoi ai.

Dodik, prej kohësh, ka bërë thirrje për shkëputjen e Republika Sërpskës – rajon i banuar me shumicë serbe në Bosnje – ndërsa, së voni, ka thënë se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit.

Escobar, gjatë bisedës me Dodikun, konfirmoi përkushtimin e fuqishëm të Uashingtonit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Sarajevë.

Lufta e viteve 1990 në Bosnje, në të cilën janë vrarë më shumë se 100,000 persona, ka përfunduar me një marrëveshje të paqes, e cila e ka ndarë këtë vend në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.

Dy entitetet udhëhiqen nga Qeveria qendrore.

Dodik është anëtari serb i Presidencës trepalëshe, e cila përbehet edhe nga një president mysliman dhe një kroat./REL