Escobar: Propozimi evropian nuk ka të bëjë me njohjen reciproke por me normalizimin

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka rikonfirmuar deklaratat e Bashkimit Evropian se propozimi i BE-së, nuk ka të bëjë me njohje reciproke por me normalizim.

“Ne donim të siguroheshim që të mos ketë ngatërrim në pozicionin tonë për propozimin evropian. Propozimi i BE-së nuk ka të bëjë me njohjen reciproke, por me normalizimin”- ka thënë Escobar.

Ai tha se ka pritshmëri të mëdha në seriozitetin për të zbatuar propozimin evropian.

Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë tha se vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie pozitive mes vete.

“Për sa i përket kësaj marrëveshjeje, vetëm pse e mbështesim këtë marrëveshje, nuk do të thotë se nuk besojmë se për të qenë rajoni i shëndetshëm dhe përfundimisht i dalë nga ngjarjet e viteve ’90, të gjitha vendet të njohin njëri-tjetrin. Ne besojmë se vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie pozitive, prandaj ne inkurajojmë që fjala “eventual” të shtohet”- është shprehur Escobar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar sot në një konferencë se dakordimi i Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen e planit evropian nuk nënkupton njohje ‘de facto’.

Stano ka theksuar se qëllimi i dialogut nuk është njohja por normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën, më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel për të diskutuar propozimin e BE-së.

Në fund të takimit, pro-planit është shprehur vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Vuçiq – duke iu shmangur deklaratave për planin – ka thënë se është e mundur të arrihen disa kompromise dhe janë duke punuar për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Nikoqiri i takimit, kryediplomati evropian, Josep Borell, kanë thënë në fund të ditës se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar në zbatimin e marrëveshjes.

Propozimi evropian u është dorëzuar palëve fillimisht në vjeshtën e vitit 2022.