Escobar paralajmëron pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në raportimin e tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka paralajmëruar masa për Serbinë në rast se komuniteti serbë nuk merr pjesë në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.

Escobar theksoi se SHBA dhe BE do të vazhdojnë të punojnë për tu siguruar që propozimi 3 pikësh për shtendosje të situatës në vëri të implementohet.

“Ne kemi qenë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushtet që kërkojnë për pjesëmarrje në atë që është proces demokratik për Kosovën. Kemi marrë zotimin që ata do të marrin pjesë në zgjedhje dhe ka pasoja nëse kjo nuk zbatohet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me BE-në për tu siguruar që plani 3 pikësh të implementohet” – tha Escobar.

Të hënën e kaluar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftuan se janë dakorduar për hapat për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

Hapat e dakorduar janë: zvogëlimi i menjëhershëm i prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimi i vazhdueshëm i gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosja e bazës së nevojshme ligjore.

Së fundi, kryeministri Kurti ka njoftuar se ka zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25% në komunat veriore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët lokalë kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.