Escobar: Do të përkrahim dialogun që sjellë Kosovën dhe Serbinë afër BE-së

Zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Gabriel Escobar ka thënë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian andaj edhe duhet të ndiqet një rrugë e tillë.

“Ata janë pjesë e Evropës, historikisht dhe kulturalisht, kanë qenë aleate, kanë ndihmuar të shtypin fashizmin. Kanë qenë neutrale në Luftën e Ftohtë, kanë ndihmuar për të mundur ekstremizmin, shumë shtete po ndihmojnë Afganistanin. Kanë ndihmuar Evropën në çështjen e migrimit gjatë konfliktit në Siri. Historikisht kjo pjesë e botës është Evropë, kanë diasporë të madhe që ndihmojnë në Evropë dhe SHBA”, tha Escobar.

Në tryezën e organizuar nga Europian Policy Centre (EPC), Esobar tha që administrata Biden do të përkrah dialogun i cili e sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër BE-së duke shtuar se vendet duhet të bëjnë reforma në këtë drejtim.

“Do t’i përkrahim tentimet e dialogut për të sjellë Serbinë dhe Kosovën afër BE-së, e të punojmë me rajonin për ta sjellë në BE. Dhe këtu përfshinë ofrimin e sinjalit të fortë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, që sipas mendimit tim, duhet të inkurajohet më mirë, për të zgjedhur”, theksoi ai.

Sipas tij “administrata e re do të fokusohet në mesazhin që regjioni duhet të jetë pjesë e BE, dhe duhet ti bëjë reformat e nevojshme për të qenë pjesë e BE-së”.

Esobar pritet që në ditët në vijim të marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit.

Deri më tani këtë post e ka mbajtur Matthew Palmer, i cili ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor.