Foto:REL

Escobar dhe Lajçak në Mitrovicën e Veriut

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po takojnë në Mitrovicën e Veriut kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri: Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Zoran Todiq dhe Sërgjan Vulloviq.

Në takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Escobar dhe Lajçak ndodhen në Kosovë që nga 23 gushti. Ata kanë takuar tashmë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.

Në takime, ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.

Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.

Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS – neutrale ndaj statusit të Kosovës – nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.

Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhen të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve të saj për riregjistrimin e automjeteve dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për qytetarët serbë nga 1 gushti më 1 shtator, pasi disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje, Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret./REL.