Esat Shala ruan mbi 2 mijë video-incizime të krimeve të luftës në Kosovë (VIDEO)

Që nga viti 2005, Esat Shala nga fshati Krajkovë i Drenasit, në mënyrë vullnetare merret me mbledhjen e provave vizuale të masakrave dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe.

Dollapi ku ai i mban më shumë se 2000 video-incizime të grumbulluara për 16 vite, gjendet në një nga dhomat e shtëpisë së tij.

Hapësirat e kësaj dhome Shala nuk i shfrytëzon për asgjë tjetër, përveç ruajtjes së këtyre materialeve.

Edhe pse këto video përmbajnë pamje të rënda dhe të dhimbshme, Shala shpeshherë e gjen veten duke i shikuar ato përmes pajisjeve që ia kanë siguruar bashkatdhetarët.

Kjo i shërben për të rikujtuar të kaluarën e dhimbshme të Kosovës, që nganjëherë i duket se njerëzit kanë filluar ta harrojnë.

Në një intervistë për KALLXO.com, 35-vjeçari tregon se çka e shtyu atë që të fillojë me mbledhjen e kasetave dhe video-incizimeve.

“Familja ime ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Babai im ka qenë i burgosur politik në vitet e 90-ta. Më 10 prill të vitit 1998 axhi im Hafir Shala, mjeku i parë i UÇK zhduket dhe sot e asaj dite nuk dihet fati i tij. Motra ime është dëshmore e cila u vra në dhjetor të 98-tës së bashku me të dashurin e saj. Këto ngjarje më kanë motivu më shumë dhe pas përfundimit të luftës e kemi pa që shteti nuk është duke bërë asgjë për të kaluarën”, ka thënë Shala.

Incizimet që i ka grumbulluar Shala përmbajnë pamje të masakrave më të mëdha të kryera në Kosovë nga pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe.

“Janë masakra e Reçakut, masakra e Qirezit dhe Likoshanit, masakra e Rugovës së Hasit, masakra e Koliqit, masakra e Mejes, Krushës dhe ka shumë masakra tjera. Ka të vrarë shumë, shihen në kamera. Ka fëmijë dy vjet, pesë vjet, dhjetë vjet. Ka njerëz të djegur”, tregon Shala.

E gjithë kjo punë, për grumbullimin e materialeve nuk ka qenë e lehtë. Shala tregon se gjithë këtë angazhim e ka bërë në mënyrë vullnetare dhe pa përkrahje.

“Kemi pasë vështirësi me i grumbullu për shkak se njerëzit që kanë bërë incizime në një farë mënyre na kanë kërcënuar pse na me ja kërku incizimet atyre. Gjithmonë janë mundu me na i shitë ato incizime, por ne nuk kemi pranu sepse gjaku nuk shitet”, ka thënë Shala

Në maj të këtij viti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu kishte bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe organizatave që kanë materiale t’i dërgojnë në adresën e cila është hapur enkas për dëshmitë e krimeve të luftës.

Për shkak të sasisë se madhe të videove dhe formatit të tyre, Shala ka thënë se e ka të pamundur që ato t’i dërgojë në e-mail. Mënyra e vetme është që ato t’i dërgojë fizikisht.

Shala ka treguar se ministrja Haxhiu e ka ftuar atë që të jetë pjesë e Institutit për krime lufte, funskionalizimi i të cilit nuk është bërë ende.

“Tash të shohim bashkëpunimin me Institutin për krime lufte dhe të shohim se cilat janë mundësitë. Së pari duhet bërë digjitalizimi i tyre. Unë i kam disa paisje që mi kanë siguru bashkatdhetarët. Besoj që disa nuk kanë kapacitet deri në fund me bo digjitalizimin e këtyre incizimeve sepse është një numër i madh i videove”, ka thënë Shala

Ai thotë se institucionet vendore është dashur që ta themelojnë Muzeun e krimeve të luftës menjëherë pas përfundimit të saj.

“Tash ka kalu një kohë e gjatë. Edhe nëse formohet ky muze, besoj që njerëzit nuk i dorëzojnë incizimet në mënyrë vullnetare pa përfitu diçka, sepse tash kjo është bërë biznes puna e këtyre incizimeve sepse shumë njerëz kanë përfitu prej këtyre incizimeve”, thotë Shala.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë ka treguar se qytetarët veç se kanë filluar të dërgojnë dëshmi, video, foto dhe dokumente në adresën e krijuar për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë periudhës së luftës.