Ermal Fejzullahu me mikun e tij japin 100 mijë euro për Shqipërinë

Këngëtari Ermal Fejzullahu së bashku me mikun e tij kanë ndarë 100 mijë euro për t’i ndihmuar  banorët e prekur nga katastrofa natyrore që e goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë këngëtari përmes llogarisë së tij në Instagram.

“Bashkëndjenja e dhimbjes dhe dashurisë janë një! Se zemra e shqiptarit është e madhe dhe bashkëndjenja obligim, shembull është  miku im i cili çdo herë i heshtur ishte pranë atyre që kishin nevojë . Të trishtuar nga dhimbja dhe pamundësia për të ndalur këtë trishtim, kemi ndarë 100,000 euro për të ndihmuar të goditurit direkt nga kjo fatkeqësi. Do të ndihmohen rastet më të rënda për të sanuar sado pak dëmet që kanë pësuar”, ka shkruar këngëtari.

Mbi 30 persona kanë humbur jetën dhe mbi 650 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur dje Shqipërinë.

Nga ky tërmet janë prekur edhe Kurbini, Thumana e Lezha. Sipas informacioneve nga mediat shqiptare deri më tani në bashkinë Kurbin janë të dëmtuara 18 pallate, banorët e të cilëve janë evakuuar dhe po qëndrojnë në çadrat pranë shkollës së mesme.

Ndërsa, në bashkinë Lezhë ka dëmtime në strukturat ndërtimore në disa pallate dhe banesa.

Dje, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në perimetrin e Tiranës dhe Durrësit, në zonat më të prekura nga tërmeti.

Në mesin e viktimave, janë edhe dy qytetarë nga Kosova, vëllezër nga Komuna e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit.

Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4. Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë prej 5.0 u shënua në Shqipëri në orën 14:10.

Pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ka njoftuar se mësimi në mbarë vendin do të ndërpritet për dy ditë.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

Tërmeti i cili goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës, është më i fuqishmi që ka goditur Shqipërinë që nga viti 1926.