Erërat e forta në Gjilan, lëndohen tre persona nga rënia e vinçit

Si pasojë e erërave të forta, një vinç ka rënë mbi një automjet në Gjilan. Tre persona kanë pësuar lëndime, gjendja e të cilëve është stabile.

Po ashtu, për arsye të erërave të forta edhe një person tjetër është lënduar në qytet.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15, në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”.

Tutje ai ka shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja. Sipas Hashanit, në veturën e cila ka qenë në lëvizje e tipit Mercedes, Pikap, me tabela vendore, kanë qenë tre persona, të cilët janë lënduar dhe sipas mjekut gjendja e tyre është stabile.

Ai po ashtu ka thënë se në qendër të qytetit është lënduar edhe një person tjetër, gjendja e të cilit po ashtu është stabile.

Hashani ka treguar se të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në Emergjencë në Gjilan.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan ka treguar se në teren janë angazhuar të gjitha njësitet emergjente, përfshirë këtu policinë, zjarrfikësit, ndihma e shpejt dhe njësitet e KEDS-it.

Ai ka treguar se për moment gjendja është stabile dhe se deri më tani nuk ka pasur vërshime të raportuara, e se po ashtu të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.

Në disa vende të Kosovës sot pasdite ka mbizotëruar mot i ligë.

Në disa video të dërguara në KALLXO.com, shihet tornado dhe stuhi breshëri dhe shiu.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve do të mbajë mot me diell dhe vranësira, gjatë pjesës së dytë të ditës vende-vende parashihen edhe kushte për reshje shiu.

Sipas njoftimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-36 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-6 m/s.