Erërat e forta, KEDS tregon në cilat rajone ka probleme me energji elektrike

Përgjatë dy ditëve të fundit, Kosova po vazhdon të jetë nën ndikimin e erërave të forta.

Megjithatë, gjendja me energji elektrike në Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Skenderaj është përmirësuar pas prishjeve të cilat ndodhën dje për shkak të erërave të forta.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

“Siç kemi informuar përmes rrjeteve sociale lidhur me dëmet në rrjet të shkaktuara nga erërat e forta, deri më tash në mbi 99% të rajoneve të përmendura, gjendja me furnizim me energji elektrike tashmë është përmirësuar”,- ka thënë ai.

Tutje Krasniqi ka njoftuar se një gjendje pak më e rënduar vazhdon akoma në një pjesë të regjionit të Pejës, pjesërisht edhe në Prishtinë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë.

“Ekipet e KEDS-it akoma janë në terren dhe po punojnë edhe në orët e vona dhe shpresojmë që gjatë natës së sontme dhe paraditën e së hënës, të gjitha dëmet e shkaktuara nga erërat të sanohen dhe furnizimi me energji elektrike t’u kthehet konsumatorëve tanë”-, ka thënë ai.

Sot në Kosovë ka pasur erëra të cilat kanë shkaktuar probleme me energji elektrike.

KEDS sot ka njoftuar se gjatë natës së mbrëmshme, erërat e forta kanë shkaktuar dëme në rrjetin elektroenergjetik, kryesisht në përçues dhe në shtylla elektrike.

Rajonet më të prekura kanë qenë Istogu, Peja, Deçani, Gjakova dhe Skenderaj.