Erdogan zotohet për mbështetje ndaj Kosovës për anëtarësim në NATO dhe integrim evropian
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka premtuar përkrahje për Kosovën në arritjet në arenën ndërkombëtare.
Erdogan ka thënë se do e mbështesë Kosovën për anëtarësim në NATO, Këshillin Evropian dhe Bashkimin Evropian.
“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Kështu ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO, në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian”- është shprehur ai në një konferencë për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Srtamboll.
Presidenti turk ka theksuar se shteti që ai drejton, ka qenë një ndër të parët që e ka njohur pavarësinë e Kosovën dhe sipas tij, me një punë intensive do të arrihet një objektiv sa ju përket njohjeve.
“Fatkeqësisht momentalisht nuk e kemi kapur ende numrin e njohjeve dhe takimet që bëmë sonte u tha që ishin 117 por ne do të bëjmë një punë intensive dhe do të arrijmë shifrën objektiv sa i përket njohjeve. Natyrisht me këtë rast dua të ju uroj që tani 15 vjetorin e pavarësisë që shënohet me 17 shkurt”- deklaroi presidenti i Turqisë.
Më tej, duke folur për mbështetje ndaj dialogut Kosovë- Serbi, Erdogan tha se Turqia është e gatshme që të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për paqe dhe stabilitet.
“Ne i kushtojmë rëndësi madhore zhvillimit të marrëdhënieve paqësore mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj. Në këtë suazë ne mbështesim dialogun Kosovë- Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialogut të mbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme ofrojë cdo mbështetje të mundshme për paqe dhe stabilitet dhe të jap kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët”- tha ai.
Presidenti turk ka deklaruar se në takim diskutuan për fushën e energjisë, shëndetit, luftën kundër terrorizmit e shumë tema të tjera.
“Në takimet tona ne diskutuam se çfarë mund të bëjmë në fushën e tregtisë, ekonomisë, energjisë, industrisë, mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit. Trajtuam hapat që duhet ndërmarrë për të rritur bashkëpunimin kundër aktiviteteve organizatës terroriste FETO në Kosovë dhe presim përpjekje më të mirë”- theksoi ai.
“Mbi 610 milionë euro në vit eksportojmë në Kosovë. Duhet ta rrisim nivelin e vëllimit në 1 miliard”- ka shtuar Erdogan duke përmendur investimet turke e ndihma zhvillimore të Turqisë për Kosovën.
Erdogan gjithashtu shprehu keqardhjen për përmbytjet që janë shkaktuar në Kosovë dy javë më parë duke thënë se janë të gatshëm për mbështetjen për t’i lehtësuar pasojat.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e nevojshme gjithashtu për të lehtësuar pasojat e fatkeqësisë së përmbytjeve”- është shprehur ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në mëngjes ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë për një vizitë pune njëditore.
Bashkë me kryeministrin Kurti kanë udhëtuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.