
Erdogan uron 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, rithekson lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore mes dy vendeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 17.02.2025, ka pranuar një mesazh urimi nga homologu i saj nga Turqia, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Erdogani ka shprehur presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës urimet më të përzemërta në emrin e tij dhe të kombit turk, duke ritheksuar lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit, ai ka nënvizuar mbështetjen e palëkundur të Turqisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe përpjekjet e Kosovës për afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare, duke rikujtuar rolin e shtetit të tij, si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Erdogan ka theksuar vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.