Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AFP

Erdogan u kërkon turqve të shesin dukatin për ta shpëtuar lirën

Duke drejtuar kongresin e partisë së tij të zhvilluar me një turmë të madhe pavarësisht pandemisë së COVID-19, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan nxiti mbështetësit e tij të shesin arin dhe të riatdhesojnë investimet jashtë vendit për të shpëtuar monedhën kombëtare që po zhvlerësohet.

“I kërkoj shtetasve të mi të investojnë valutën e tyre të huaj dhe arin në institucionet financiare të ndryshme dhe t’i sjellin [këto asete] në ekonominë e vendit,” deklaroi Erdogan.

“Mos i besoni ata që thonë se ne jemi të mbaruar, se jemi mbytur apo se po vdesim. Ne do të qëndrojmë të fortë përballë tallazeve,” shtoi ai.

Monedha turke Lira humbi 20% të vlerës ditën e hënë vetëm një orë pasi u hapën tregjet. Kolapsi erdhi pasi Erdogan pushoi nga puna tre ditë më parë guvernatorin e Bankës Qendrore të vendit dhe vendosi në vend të tij një besnik.

Një dollar amerikan kushton aktualisht 8.48 lira turke ndërsa kjo monedhë është luhatur fort përgjatë muajve të fundit.

Lira është një monedhë që zhvlerësohet vazhdimisht dhe norma e inflacionit në vend është shumë e lartë, gjë që detyron bankën qendrore të mbajë interesa shumë të larta. Gjatë pesë muajve të fundit, banka qendrore turke rriti interesat me 875 pikë bazë duke arritur në 19%. (100 pikë bazë janë të barabarta me 1 për qind).

Menjëherë pas ndryshimit të guvernatorit të bankës qendrore të premten e kaluar, investitorët filluan të braktisin lirën për shkak të supozimit se guvernatori i ri do t’i ulë interesat duke sjellë rrjedhimisht humbje për vlerën reale të atyre që kanë investime në lira turke.

Kongresi i Erdogan, i cili u shoqërua me manifestime të mbështetësve të tij, u kritikuan nga ekspertët si vektorë të mundshëm të përhapjes së mëtejshme të koronavirusit të ri.

Më shumë se 15 mijë morën pjesë në manifestim në një stadium në Ankara ndërsa 10 mijë të tjerë u grumbulluan jashtë stadiumit.

Numri i infektimeve në Turqi po rritet me shpejtësi gjatë javëve të fundit. Në fillim të shkurtit infektimet ishin rreth 8 mijë në ditë ndërsa tani janë mbi 26 mijë.

“Kongreset e ngjeshura të Presidentit Erdogan janë një nga arsyet kryesore të rritjes së rasteve. Kjo mund të na sjellë katastrofë,” deklaroi Ali İhsan Okten, President i Dytë i Shoqartës së Mjekëve të Turqisë.