Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan: Turqia mund të shqyrtojë anëtarësimin e Finlandës në NATO para Suedisë

Mes tensioneve në rritje me Stokholmin, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dha sinjale të dielën se Ankaraja mund të bjerë dakord që Finlanda të anëtarësohej në NATO para Suedisë.

“Ne mund të dërgojmë mesazhe të ndryshme lidhur me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe Suedia mund të befasohet nga mesazhi ynë. Por, Finlanda nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime që bëri Suedia”, tha Erdogan gjatë një fjalimi televiziv të dielën.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar dhe kanë nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të aleancës ushtarake. Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë ratifikuar kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Turqia thotë se Suedia strehon militantë kurdë të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), të cilët kanë marrë pjesë në kryengritjen e armatosur kundër shtetit turk më 1984. PKK është një parti e paligjshme në vend.

“Ne kërkuam nga Suedia ekstradimin e 120 terroristëve nga vendi i tyre. Nëse ata nuk ekstradohen, atëherë na vjen keq për këtë”, tha Presidenti turk duke iu referuara marrëveshjes së vitit të kaluar me Suedinë dhe Finlandën për anëtarësimin e tyre në NATO.

Turqia pezulloi bisedimet e anëtarësimit në NATO me Suedinë dhe Finlandën javën e kaluar pas një proteste në Stokholm gjatë së cilës një politikan i ekstremit të djathë, dogji një kopje të Kuranit.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se vendi i tij dëshiron të rikthehet në dialogun me Turqinë, por ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusuglu tha të enjten se rifillimi i bisedimeve ishte i pakuptimtë.

Zoti Cavusuglu gjithashtu tha se nuk kishte asnjë “ofertë për të shqyrtuar anëtarësimin e ndarë të Suedisë dhe Finlandës në NATO.”/VOA