Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Foto: Twitter

Erdogan thotë se kryeministri grek “nuk ekziston më” për të

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis “nuk ekziston më” për të, duke akuzuar kështu liderin grek se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.

“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, javën e kaluar, ai pati një vizitë në SHBA dhe foli në Kongres dhe i paralajmëroi ata të mos na jepnin F-16”, raportohet të ketë thënë Erdogan në një konferencë për shtyp pas mbledhjes javore të kabinetit.

“Ai nuk ekziston më për mua. Unë nuk do të pranoj kurrë të takohem me të. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me politikanë të nderuar.”

Turqia dhe Greqia, të dyja aleatë të NATO-s, kanë qenë në mosmarrëveshje për një mori çështjesh si kufijtë detarë, shtrirja e tyre kontinentale, hapësira ajrore dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Sipas Reuters, gjatë vizitës së kryeministrit grek në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë javën e kaluar, Mitsotakis tha se Greqia do të fillojë procedurat për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030.

Pas komenteve të Erdoganit, raportohet të ketë pasur reagim nga ana e zëdhënësit të qeverisë greke, Giannis Oikonomou, i cili është përgjigj se kryeministri Mitsotakis mbron të drejtat e Greqisë dhe ligjin ndërkombëtar dhe se politika e jashtme e Greqisë bazohet gjithashtu në aleancat e saj.

“Ne nuk do të hyjmë në një kundër-argument me udhëheqjen e Turqisë. Politika jonë është një politikë parimesh”, raportohet të ketë thënë ai në një deklaratë.