Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan shpreson që lufta në Ukrainë të rrisë fuqinë rajonale turke

Teksa vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, Rusia e gjen veten duke u përballur me një izolim ndërkombëtar në rritje, përfshirë edhe zgjerimin e listës së sanksioneve.

Edhe pse nuk është një shtet krejtësisht i izoluar, Rusia tani mund të llogarit vetëm në disa aleatë. Shtetet që kanë mbetur në thelb neutrale përfshijnë Kinën, monarkitë në Gjirin Persik dhe Turqinë.

Qeveria e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar Rusinë për agresionin e saj, por nuk i është bashkuar shteteve perëndimore për ta sanksionuar Moskën.

Në vend të sanksioneve, Turqia ka tentuar që të ndjekë një rrugë tjetër, duke e paraqitur veten si një paqebërëse potenciale, teksa ka ofruar të ndërmjetësojë negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Ankaraja po ashtu ka kritikuar anëtarë të paspecifikuar të NATO-s – aleancës ushtarake perëndimore, pjesë e së cilës është Turqia – sepse, sipas mendimit të saj, kjo aleancë ka bërë pak për të ulur tensionet.

Ky mesazh u artikulua së fundmi nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Në mënyrë që të dobësohet Rusia, disa shtete të NATO-s nuk duan paqe, ndërkaq Ukraina nuk interesohet për to. Unë do të citoj një pjesë të udhërrëfyesit tonë në lidhje me Ukrainën: tërheqja graduale e trupave ruse duhet të bëhet paralelisht me lehtësimin e sanksioneve”, tha Cavusoglu.

Interesat ekonomike të Ankarasë

“Ankaraja ka marrë një qëndrim për përfitim maksimal, duke u përpjekur që të shfrytëzojë konfliktin sa më shumë që të mundet në të mirë të saj”, tha për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, politologu Ivan Preobrazhensky.

“Lidhjet e mëhershme që Rusia dhe Ukraina kishin, kufizonin aftësinë e Turqisë që të luajë rol më të madh në politikat e kësaj pjese të Euroazisë, gjë që dëshironte shumë që ta bënte. Në të kaluarën, Turqia kishte ndikim në gjithë jugun e Ukrainës. Turqit e mbajnë mend mirë këtë dhe, për më tepër, nën udhëheqjen e Erdoganit, ata janë të vetëdijshëm gjithnjë e më shumë për këtë rol që kanë pasur në të kaluarën, sepse në politikën e brendshme, Qeveria po shtyn ideologjikisht një përzierje mjaft interesante të pan-turqizmit dhe islamizmit”, shtoi ai.

Interesat biznesore sigurisht që janë pjesë e ekuacionit. Për Turqinë, turistët rusë janë kontribuues kyçë për arkën shtetërore. Rusia po ashtu ofron një treg të madh për pemët dhe perimet turke. Dy shtetet po ashtu së fundmi kanë nënshkruar disa marrëveshje tregtare.

Duke pasur parasysh aspektin ekonomik, ndoshta nuk është befasi që Ankaraja vendosi që të mos dërgojë në Ukrainë armatime të kohës sovjetike, pavarësisht se thirrje të tilla u bën edhe nga NATO dhe Ukraina, që është një partnere tregtare në rritje për Turqinë.

Vitin e kaluar, Turqia investojë rreth 4.5 miliardë dollarë në Ukrainë, duke u bërë investitorja më e madhe e huaj në vend. Më 3 shkurt, disa javë para se Rusia të niste pushtimin, Erdogan dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruan një marrëveshje në Kiev që kishte për qëllim të rriste tregtinë vjetore në 10 miliardë dollarë. Dhe përderisa Ankaraja ka refuzuar ta furnizojë Kievin me armë të epokës sovjetike, ajo që një kohë të gjatë e furnizon Ukrainën me armë të tjera, përfshirë edhe dronët Bayraktar. Erdogan dhe Zelensky po ashtu kanë arritur marrëveshje për dërgesa të anijeve, motorëve për avionë dhe pjesë të tjera, dërgesa që pritet të arrijnë në Ukrainë në të ardhmen.

Por, pavarësisht raportimeve se NATO i ka bërë thirrje Ankarasë që ta furnizojë Ukrainën me armë sovjetike, Turqia ka refuzuar që të dërgojë në këtë shtet sisteme ruse të mbrojtjes ajrore.

“Ankaraja po ashtu ka sisteme ruse të mbrojtjes ajrore S-400, blerja e së cilave disa vjet më parë shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha me partnerët e NATO-s, kryesisht me Shtetet e Bashkuara”, tha Preobrazhensky.

“Për shkak të kësaj, Turqia humbi shansin që pjesërisht të prodhonte në territorin e avionë luftarakë amerikanë dhe raportet me Uashingtonin u përkeqësuan kryesisht për këtë arsye. Prandaj, rreth dy javë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, NATO i bëri thirrje Erdoganit që të dërgonte në Kiev sistemin rus S-400 në këmbim të sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, ashtu siç bëri Sllovakia. Por, Erdogani nuk bëri një gjë të tillë… sepse nuk mendoj se ai iu beson plotësisht partnerëve të tij në NATO”.

Përderisa mund të bëjë thirrje për ulje të tensioneve në luftën ruse në Ukrainë, Turqia mund të shfrytëzojë konfliktin për të rritur profilin e saj rajonal, tha Preobrazhensky.

“Turqia në përgjithësi po bëhet një lidere e vërtetë rajonale dhe po tenton që të mbajë principin antik të ‘përçajë dhe sundo’ në raportet e saj si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën. Sa më shumë konflikt të ketë në gjithë sferën post-sovjetike, aq më shumë do të ketë ndikim turk. Kjo vlen jo vetëm për Rusinë dhe Ukrainën, por për gjithë Kauzakin Jugor dhe Verior dhe mbarë Azinë Qendrore”, tha ky analist rus.

Pavarësisht mosgatishmërisë që ta furnizojë Ukrainën me disa sisteme të posaçme, Ankaraja është duke e rritur bashkëpunimin e mbrojtjes me Kievin. Më 3 shkurt, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, njoftoi se Turqia dhe Ukraina ishin pajtuar për të bashkëprodhuar dronët Bayraktar në një ndërtesë prodhimi në Ukrainë.

Më 2019, Baykar Makina, një kompani turke që prodhon dronë, fitoi kontratën për shitjen e gjashtë dronëve Bayraktar TB2 në Ukrainë. Kontrata 69 milionë dollarësh po ashtu përfshinte shitjen e municioneve për versionin e këtyre fluturakeve që kanë aftësi të pajisjen me armë. Në shtator të vitit 2021, Qeveria ukrainase njoftoi se po planifikonte që të blinte edhe 24 dronë luftarakë turk në muajt e ardhshëm.

Përdorimi i dronëve TB2 nga forcat ukrainase kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës ka acaruar Moskën. Përveç në Ukrainë, dronët e Turqisë po ashtu kanë luajtur rol kyç për Azerbajxhanit gjatë konfliktit të shkurtër më 2020 me Armeninë mbi Nagorno Karabakun.

Për Erdoganin, përpjekja për të luajtur rolin e paqeruajtësit midis Kievit dhe Moskës mund t’i ndihmojë po ashtu edhe në përmirësimin e raporteve me Perëndimin. Kjo ishte diçka me të cilin lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, pati njëfarë suksesi deri në momentin që ai nisi goditjen e kundërshtarëve demokratë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, zgjedhje që gjerësisht në botë u konsideruan si të manipuluara.

“Presidenti turk ndoshta dëshiron që të ndihmojë në përfundimin e kësaj lufte në mënyrë që të marrë përfitime të rëndësishme gjeopolitike dhe diplomatike”, tha Preobrazhensky.

Goditja e rëndë e ekonomisë

Sa më shumë që të zgjasë pushtimi rus i Ukrainës, aq më e rëndë do të goditet ekonomia botërore, përfshirë edhe ajo e Turqisë. Shumë shtete islamike veçse kanë shprehur shqetësime se lufta Rusi-Ukrainë mund të çojë në trazira masive dhe pakënaqësi sociale pasi çmimet e ushqimeve po rriten, pas një cikli trazirash në rajon që kulmuan me Pranverën Arabe.

Gjatë viteve të fundit, Turqia është bërë më e varur nga produktet agrikulturore nga Rusia dhe Ukraina. Më 2021, Turqia pranoi 65 për qind të të gjithë grurit të importuar nga Rusia dhe mbi 13 për qind nga Ukraina. Rritja e fundit e çmimeve të grurit – çmimet kryesisht janë rritur për shkak të pushtimit rus të Ukrainës – kanë detyruar Ankaranë që të zvogëlojë blerjet nga jashtë për 30 për qind.

Transportuesit rusë të energjisë po ashtu nuk janë më pak të rëndësishëm për ekonominë turke. Deri në fillim të luftës, Rusia furnizonte Turqinë me më shumë se 50 për qind të gazit të importuar, 17 për qind të naftës dhe 40 për qind të benzinës.

Moska dhe Ankaraja kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh tregtare dhe ekonomike në vitet e fundit. Marrëveshja më e rëndësishme është për ndërtimin e centralit bërthamor turk, Akkuyu, që do të ndërtohet me ndihmën e kompanisë shtetërore ruse të energjisë, Rosatom. Ky central pritet të mbulojë 10 për qind të nevojave të energjisë së Turqisë. Erdogani vazhdimisht ka përsëritur se ai dëshiron që ky projekt të përfundojë. Ky projekt vlerësohet se kushton 20 miliardë dollarë.

Rusia po ashtu është një treg i madh për pemët dhe perimet turke. Vitin e kaluar, Turqia ka eksportuar në rekord prej pothuajse 1.5 milionë tonë metrikë të pemëve dhe perimeve të freskëta në Rusi.

Turqia po ashtu është destinacion kryesor për turistët rusë. Afër 4.5 milionë rusë vizituan Turqinë më 2021. Javën e kaluar, Qeveria turke dhe një numër i bizneseve private madje krijuan një linjë të posaçme ajrore, Southwind, e cila do të transportojë vetëm rusët në resortet turistike turke. Kjo kompani e re ajrore do të ketë selinë në Antali të Turqisë dhe fluturimet e para janë paraparë që të realizohen në fund të majit.

Bankat turke po ashtu po zgjerojnë rrjetin për sistemin rus të pagesave Mir, për të ndihmuar në joshjen e turistëve të rinj në vend, tha më 27 prill ministri i Financave, Nureddin Nebati. Ai parashikoi se shteti do të thyente rekordin e të ardhurave nga turizmi gjatë këtij viti.

Këto para nevojiten shumë pasi ekonomia turke, që veçse është goditur rëndë nga pandemia COVID-19, po përballet me gjendje të vështirë, teksa pushtimi rus po vazhdon. Për Erdoganin, Qeveria e tij nuk është e qëndrueshme për shkak të tensioneve socio-politike në mbarë vendin.

Inflacioni vjetor në Turqi në fillim të vitit 2022 iu afrua nivelit më të lartë në 20 vjetët e fundit, ndërkaq shkalla e papunësisë arriti në 15-20 për qind. Çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazë u rritën me 30-50 për qind, pasi vlera e lirës turke përjetoi dy rëniet më të mëdha të vlerës së saj.

Turqia pritet të mbajë zgjedhje parlamentare më 2023. Me lajme për probleme ekonomike, është ulur edhe mbështetja e partisë së Erdoganit, Drejtësi dhe Zhvillim.

Duke pasur parasysh problemet me të cilat po përballet brenda vendit, për Erdogani mund të jenë të mirëseardhura disa lajme të mira. Dhe, siç argumentoi analisti Preobrazhensky, Ukraina mund të sigurojë disa lajme të mira për Erdoganin, duke e shtyrë atë drejt rolit të një ndërmjetësi të mundshëm./REL