Erdogan

Erdogan sëmuret gjatë transmetimit, pezullon fushatën zgjedhore (VIDEO)

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka pezulluar fushatën zgjedhore pasi u sëmur gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive në të cilën transmetimi u ndërpre papritur, raporton BBC

Pas një pushimi prej 20 minutash, ai u kthye për të thënë se kishte “grip të rëndë stomaku” pas dy ditësh fushate intensive.

Erdogan tash 69 vjeç, po përballet me fushatën më të ashpër zgjedhore deri më tani.

Udhëheqësi kryesor i opozitës Kemal Kilicdaroglu është zgjedhur për të kandiduar për një grup prej gjashtë partish politike.

Sondazhet e fundit shfaqin garë të ngushtë mes dyve dhe i japin zotit Kilicdaroglu shans të mirë për fitore në zgjedhjet e 14 majit, me një balotazh të mundshëm presidencial dy javë më pas.

Presidenti Erdogan fillimisht anuloi tre paraqitje në Anadollin qendror të mërkurën, duke thënë se mjekët e kishin këshilluar të qëndronte në shtëpi.

Shumë gazetarë ishin ulur rreth Presidentit Erdogan kur ai u sëmur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të së martës në mbrëmje në kanalet pro-qeveritare Ulke TV dhe Kanal 7.

Pasi një nga intervistuesit bëri një pyetje, kamera e shfaqi gazetarin që dukej i alarmuar gjithnjë e më shumë përpara se në ekran të hiqej pamja.

Erdogan më pas u kthye të shpjegonte se më parë kishte menduar anulimin e programit. “Sigurisht që ndonjëherë hasim në situata të tilla mes një pune kaq të ngarkuar”.

Pas disa orësh nga transmetimi, në disa llogari të mediave sociale jashtë Turqisë u shfaqën spekulime se Erdogan kishte pësuar sulm në zemër.

Shefi i komunikimit i Erdogan, Fahrettin Altun, në mediat sociale shkroi për të “kundërshtuar kategorikisht pretendime të tilla të pabaza” në lidhje me shëndetin e presidentit, duke postuar në Twitter pamje nga ekranet e llogarive që përhapën pretendimet.

Votimi në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale zhvillohet më 14 maj. Nëse asnjë kandidat presidencial nuk fiton më shumë se gjysmën e votave, do të ketë një raund të dytë dy javë më pas.

Votimi ka filluar tashmë për 3.3 milionë shtetasit turq jashtë vendit, të cilët kanë afat deri më 9 maj për të votuar.

Në Gjermani rreth 1.5 milionë qytetarë turq kanë të drejtë të votojnë në qendrat e votimit në të 16 shtetet. Komunitete të mëdha turke ka edhe në Francë, Holandë dhe Belgjikë.

Kilicdaroglu dhe aleatët e tij kanë premtuar se do ta kthejnë Turqinë në një sistem parlamentar, duke zhbërë shumë nga ndryshimet e sjella nga Erdogan.