Erdogan: Rusia nuk po zbaton marrëveshjet për Sirinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Ankaraja është duke humbur durimin me sulmet ushtarake në rajonin Idlib të Sirisë, duke shtuar se Rusia është duke shkelur marrëveshjet që synojnë të ndalin konfliktin aty, ka thënë transmetuesi NTV, të mërkurën.

Rinisja e bombardimeve nga forcat qeveritare siriane, që mbështeten nga Rusia në Idlib, kanë rritur shqetësim për një valë të re refugjatësh në këtë zonë, e cila kufizohet me Turqinë dhe strehon 3 milionë persona.

Turqia dhe Rusia mbështesin palë të ndryshme në konfliktin në Siri.

Megjithatë, ato janë pajtuar që të punojnë drejt uljes së tensioneve në Idlib, duke krijuar zona të sigurta sipas marrëveshjeve të nënshkruara më 2017 dhe 2018 në Astana, respektivisht Soçi.

Pavarësisht kësaj, luftimet kanë vazhduar në rajonin e fundit të kontrolluar nga rebelët në luftën gati nëntëvjeçare, pavarësisht zotimeve për armëpushim.

“Aktualisht Rusia nuk është duke zbatuar marrëveshjet e Astanas dhe Soçit”, është cituar të ketë thënë Erdogan, sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ai ka thënë se Turqia është duke ndërtuar shtëpi në Idlib, për të strehuar civilët që janë duke u ikur sulmeve, prandaj sipas tij i ka bërë të qartë Rusisë se Ankaraja është duke humbur durimin.

“Nëse do të jemi partnerë besnikë me Rusinë, ata duhet të ndryshojnë qëndrimin. Dëshira jonë është që Rusia të bëjë paralajmërimet e duhura për regjimin që e konsideron të afërt”, ka thënë ai.

Forcat qeveritare siriane kanë hyrë së fundmi në një qytet në jug të Idlibit, duke shënuar përparim për presidentin sirian, Bashar al-Assad. /REL