Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan rrit numrin e pallateve luksoze

Duke mos qenë i kënaqur me pallatin e ri presidencial të ndërtuar në Ankara pasi erdhi në krye të shtetit në vitin 2014-dhe dy pallate të tjera – presidenti Erdogan do marrë edhe dy të tjerë, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike në vend.

Programi i investimeve vjetore i publikuar në gazetën zyrtare të dielën tregon se presidenti Recep Tayyip Erdogan do ketë edhe dy pallate të tjera gjatë këtij viti, një për verë dhe një për dimër, që do u kushtojnë taksapaguesëve mbi 86 milionë euro, përkundër faktit se vendi po kalon në krizë ekonomike dhe shëndetësore.

Njëri do ndërtohet në resortin e famshëm të Marmaras në Egje dhe tjetri do ndërtohet në Ahmlat, një qytet buzë lumit në Turqinë lindore.

Pallati veror në Marmara ishte supozuar të kushtojë 150 milionë lira kur filloi në vitin 2018 por çmimi u shumëfishua për shkak të shpenzimeve shtesë.

Çmimi i lartë i pallateve të reja dhe shpenzimet për mirëmbajtje të pallatit ekzistues presidencial ka nxitur shumë kritika nga opozita dhe ekspertë që thonë se taksat po shpenzohen në mënyrë jo të zgjuar në një krizë ekonomike që ka vështirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm.

Në programin për investimet vjetore gjithashtu thuhet se 9 milionë euro tjera do shpenzohen në një ndërtesë shtesë për pallatin ekzistues në Ankara. Kurse, ndërtesa e  re do kushtojë më shumë se 332 milionë euro para se të hapet.

Çmimi i mirëmbajtjes për pallatet ekzistuese në Stamboll dhe Ankara në vitin 2021 do kushtojë 6.6 milionë euro, kurse 9.8 milionë të tjera do shpenzohen për blerje të makinave përfshirë edhe çmimin për mirëmbajtje të atyre ekzistuese.

Pas zgjedhjes së tij si president për herë të parë në vitin 2014, Erdogan urdhëroi ndërtimin e një pallati të ri, luksoz, në Ankara, duke braktisur rezidencën e thjeshtë ‘Cankaya’, të cilën presidentët e mëhershëm, përfshirë edhe themeluesin e republikës, Mustafa Kemal Ataturk, e kishin përdorur.

Çmimi për pallatin e ri luksoz, i cili do ketë 1, 150 dhoma bashkë me një bibliotekë, xhami dhe një qendër konferencash, është ende i panjohur.

Presidenca turke për momentin ka tre pallate në Stamboll të cilat janë pallate mbretërore të ish Perandorisë Osmane, pallatet e reja dhe rezidenca Cankaya në Ankara.