Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan: Pasoja ndaj medias nëse botojnë përmbajtje "të dëmshme"

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan kërcënoi të shtunën mediat e vendit me pasoja nëse shpërndajnë përmbajtje që sipas tij “dëmtojnë vlerat thelbësore të vendit”, në një lëvizje që mund të nënkuptojë censurë të mëtejshme ndaj lirisë së shtypit.

Në një njoftim botuar në Gazetën Zyrtare, ai tha se duheshin marrë masa për të mbrojtur “kulturën kombëtare” të Turqisë dhe për të mos lejuar që fëmijët “të ndikohen negativisht si rezultat i ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dëmshme në të gjitha mediat e shkruara dhe audio-vizuale.”

Zoti Erdogan nuk dha detaje konkrete se çfarë do të përmbënte përmbajtje e dëmshme, por tha se do të ndërmerren veprime ligjore kundër “aktiviteteve të hapura ose të fshehta përmes mediave që synojnë të minojnë vlerat tona kombëtare dhe morale dhe të prishin strukturën tonë familjare dhe shoqërore.”

Preidenti Erdogan është në pushtet prej afro 20 vjetësh dhe shpesh ka kritikuar përmbajtje në media që është në kundërshtim me vlerat konservatore islamiste të përkrahura nga Partia e tij AK.

Vitet e fundit, Turqia ka ndërmarrë gjithashtu masa për të shtuar mbikëqyrjen ndaj medias. Rreth 90% e mediave kryesore janë tani në pronësi të shtetit ose entiteteve pranë qeverisë.

Aleatë dhe kritikët perëndimorë të Turqisë kanë thënë se zoti Erdogan shfrytëzoi një përpjekje të dështuar për grusht shteti të vitit 2016 për të shtypur kundërshtarët dhe për të tkurrur të drejtat e njeriut dhe tolerancën.

Qeveria e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se masat janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve me të cilat përballet Turqia dhe se është rivendosur liria e besimit në një republikë dikur shumë laike./VOA