Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Joe Biden në vitin 2016. Në atë kohë Biden ishte nënpresident i SHBA-së.

Erdogan paralajmëron acarim të raporteve me SHBA-në

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 23 shtator se raportet e vendit të tij me SHBA-në nuk po shkojnë në drejtim të duhur.

Sipas tij, raportet me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk kishin “nisur mirë”.

Erdogan u dërgoi mesazh aleatëve të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara se, nëse ato nuk e ndihmojnë Turqinë në aspektin e mbrojtjes, atëherë vendi i tij do të kthehet në drejtim tjetër.

Gazeta turke Haberturk citoi Erdoganin të ketë thënë se problemet e kanë bazën te zemërimi i SHBA-së pasi Turqia bleu sistemet e avancuara raketore S-400 nga Rusia.

“Sa i takon raporteve turko-amerikane nuk mund të them se po zhvillohet një proces i shëndetshëm”, u tha presidenti turk gazetarëve kur doli nga debati i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pati vendosur sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes turke për shkak të blerjes së sistemit rus.

Disa ekspertë vlerësojnë se sistemi S-400 përbën rrezik për avionët F-35 të NATO-s dhe SHBA-së.

Turqia ka qenë partnere në prodhimin e tyre si dhe kishte blerë disa prej tyre.

“Kemi blerë F-35, kemi paguar 1.4 miliardë dollarë dhe ato nuk na janë dhënë”, tha Erdogan, duke shtuar se kjo është çështja e parë që duhet të zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në anën tjetër e ka hidhëruar Erdoganin pasi e ka njohur si gjenocid vrasjen e armenëve më 1915 nga ana e Perandorisë Osmane si dhe ka kritikuar Turqinë për mosrespektim të të drejtave të njeriut.

Kritikat amerikane janë shtuar pasi Turqia u largua nga Konventa e Stambollit, që synon mbrojtjen e grave nga dhuna./REL