Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Erdogan para vizitës në Shqipëri: Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme

“ Turqia e sheh Shqipërinë si mike dhe si aleate”, kështu është shprehur presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, në vigjilje të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Erdogan për Albania Daily News, theksoi rëndësinë që ka Shqipëria për Turqinë, duke e cilësuar si një nga vendet ballkanike me të cilat marrëdhëniet janë më të qëndrueshme dhe pozitive.

“Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe më miqësore me vendet e Ballkanit. Shqipëria është në qendër të kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin”, tha Erdogan.

Presidenti turk, i cili pritet të mbërrijë në Tiranë mëngjesin e 17 janarit, për të parë nga afër se si ka ecur procesi i rindërtimit, vë theksin edhe të bashkëpunimi ekonomiko-tregtar i dy vendeve. Ai thotë se synimi kryesor është zgjerimi i shkëmbimeve tregtare në rreth 1 miliard dollarë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Turqia ka investime mbi 3.5 miliardë dollarë në Shqipëri, duke përfshirë shërbimet kontraktuese. Në Shqipëri operojnë rreth 600 kompani turke të regjistruara dhe këto kompani jo vetëm që kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe punësim për rreth 15 mijë persona. Me këto shifra, Turqia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri.”, ka thënë presidenti për ADN.

Erdogan thotë se marrëdhëniet miqësore midis Turqisë dhe Shqipërisë janë në periudhën e tyre më produktive edhe në fushën politike dhe sociale.

Ai thotë se Turqia vlerëson praninë e Shqipërisë në NATO dhe gjithashtu mbështet procesin e anëtarësimit në BE.

“Shpresoj që Turqia dhe Shqipëria të ecin përkrah për ditë akoma më të mira, duke përcjellë një marrëdhënie miqësie dhe partneriteti tek brezat e ardhshëm”, thotë Erdogan./TopChannel