Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Erdogan kërkon që 10 ambasadorë të shpallen “non grata”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallë “persona non grata” (persona të padëshirueshëm) dhjetë ambasadorë nga shtetet perëndimore, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara, pasi ata kanë bërë thirrje për lirimin e filantropistit, Osman Kavala.

Kavala është në burg që prej vitit 2017, pasi akuzohet se ka financuar protestat mbarëkombëtare të vitit 2013 dhe për përfshirje në tentim grushtshtetin e vitit 2016. Ai i mohon të gjitha akuzat.

Përmes një deklarate të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Zelandës së Re kërkuan që sa më shpejt të zgjidhet çështja e Kavalas. Ata u thirrën në bisedë nga Ministria e Jashtme, që e quajti këtë deklaratë të përbashkët si të papërgjegjshme.

“Kam dhënë urdhrin e nevojshëm Ministrisë sonë të Jashtme dhe kam thënë atë që duhet bërë: këta dhjetë ambasadorë duhet të shpallen ‘persona non grata’. Do ta zgjidhni menjëherë”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në një tubim në Eskisehir, në veriperëndim të Turqisë.

Vitin e kaluar, Kavala u shpall i pafajshëm për akuzat lidhur me protestën, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe u kombinua edhe me akuzat e çështjes tjetër, atë të tentim grushtshtetit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rasti i tij është simbol i goditjes që Erdogan i bën disidencës./REL