Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Foto: Twitter

Erdogan 'i gatshëm' të ofrojë mbështetje në vendosjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

President turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia është e gatshme që të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që mundet për të arritur një zgjidhje në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.

Këtë e ka thënë Erdogani sot në një konferencë të përbashkët me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton media serbe Tanjug.

Erdogan ka theksuar se shpreson që në të ardhmen e afërt do të arrihet një marrëveshje për targat me Kosovën.

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja për kalimin e kufijve me letërnjoftime vetëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sa i përket targave, shpresoj që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt, si dhe për çështje të tjera problematike” – ka thënë Erdogan.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 1 gushti të hynte në fuqi vendimi për reprocitet në dokumentet e hyrje-daljes. Por, pak para mesnatës serbët lokalë vendosën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Me qëllim të uljes së tensioneve, pas takimit me ambasadorin amerikan Hovenier, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që të shtyhet implementimi i këtij vendimi për 30 ditë.

Tri ditë para fillimit zyrtar të implementimit të vendimit për dokumentet e hyrje-daljes, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje. Që nga 1 shtatori, qytetarët serbë do të mund të hynin në Kosovë vetëm me letërnjoftime dhe e njëjta do të ndodhte me qytetarët kosovarë që hyjnë në Serbi.

Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë që janë pronarë të veturave me targa KM, GL, UR, PR, etj, të cilat lëshohen nga Beogradi dhe konsiderohen ilegale në Kosovë, do të mund t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS me disa lehtësira tatimore.