Erdogan hap xhami të re në zemër të Stambollit (VIDEO)
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka inauguruar një xhami në Sheshin Taksim të Stambollit, duke përmbushur premtimin e tij për të ndërtuar një shtëpi lutjeje për besimtarët myslimanë në hapësirën kryesore publike të qytetit.
Xhamia në Taksim dhe kupola e saj 30 metra e lartë janë ndërtuar për katër vjet – projekt ndërtimi i mbështetur nga Erdogan, një mysliman i devotshëm, i cili është ankuar se në këtë zonë nuk ka qenë as vend për lutje.
Pas faljes së lutjeve të së premtes me mijëra besimtarë, Erdogan ka thënë më 28 maj se janë kryer punimet për një ëndërr të turqve dhe ka thënë se ezani do të thirret në këtë xhami “deri në fund të jetës”.
Lideri turk ka premtuar mbështetje për planet e partisë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) rreth ndërtimit të xhamisë në sheshin Taksim, pasi sipas tij ishte e pabesueshme që sheshi i Stambollit të mos kishte një të tillë.
Kompleksi i xhamisë me dy minare, do të mund të pranojë 4,000 besimtarë, si dhe në të ka hapësirë për ekspozita, librari dhe kuzhinë, ka transmetuar agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Kjo është xhamia e tretë që ka inauguruar Erdogan në Stamboll. Xhamia Camlica ka hapur dyert e saja në mars të vitit 2019.
Vitin e kaluar, Erdogan ka shndërruar Aja Sofian, institucionin e njohur si trashëgimi botërore të UNESCOS në xhami, pasi një gjykatë në Turqi i ka anuluar statusin e muzeut.
Kjo ndërtesë, e cila ka qenë katedrale në epokën bizantine është shndërruar në xhami pas pushtimit osman më 1453.
Kritikët e shohin ndërtimin e xhamisë si plan të Erdoganit për të minuar trashëgiminë e Mustafa Kemal Ataturkut, i cili ka krijuar republikën sekulare, pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane.
Një qendër kulturore në Taksim, me emrin e Ataturkut, e cila është parë si simbol i trashëgimisë, është shkatërruar dhe do të zëvendësohet me një strukturë që do të mbajë një shtëpi opere.
Përndryshe, xhamia e re në Taksim ishte planifikuar të inaugurohej gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, mirëpo Erdogan e ka hapur atë në prag të përvjetorit të nisjes së protestave kundër qeverisë më 2013.
Protestat kanë nisur vetëm 100 metra larg Parkut Gezi, para se ato të ktheheshin në protesta masive kundër Qeverisë së Erdoganit. REL