Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.
Erdogan bën thirrje për një aleancë islame kundër Izraelit
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, të shtunën (07.09.2024) tha se vendet islame duhet të formojnë një aleancë kundër asaj që ai e quajti “kërcënimi në rritje i ekspansionizmit” nga Izraeli.
Ai bëri këtë koment pasi përshkroi vrasjen e një gruaje turko-amerikane nga trupat izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë dhe turq. Gruaja po merrte pjesë në një protestë të premten (06.09.2024) kundër zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
“Hapi i vetëm që do të ndalojë arrogancën e Izraelit, banditizmin e Izraelit dhe terrorizmin shtetëror të Izraelit është aleanca e vendeve islame” – tha Erdogan në një ngjarje të një shoqate shkollash islame pranë Stambollit.
Ai tha se hapat e fundit që Turqia ka ndërmarrë për të përmirësuar marrëdhëniet me Egjiptin dhe Sirinë kanë për qëllim “formimin e një linje solidariteti kundër kërcënimit në rritje të ekspansionizmit”, që sipas tij, kërcënon gjithashtu Libanin dhe Sirinë.
Erdogan priti këtë javë në Ankara Presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, dhe diskutuan mbi luftën në Gaza dhe mënyrat për të riparuar më tej marrëdhëniet e tyre.
Marrëdhëniet mes tyre filluan të përmirësoheshin në vitin 2020 kur Turqia nisi përpjekjet diplomatike për të lehtësuar tensionet me rivalët rajonalë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.
Në korrik 2024, Erdogan tha se Turqia do të ftonte presidentin sirian, Bashar al-Assad, “në çdo kohë” për bisedime të mundshme për të rivendosur marrëdhëniet mes dy fqinjëve, të cilët ndërprenë lidhjet në vitin 2011 pas shpërthimit të luftës civile.
Izraeli nuk ka komentuar ende deklaratat e Erdogan.
Ushtria izraelite tha pas incidentit të së premtes (06.09.2024) se po shqyrtonte raportet se një shtetase e huaj “u vra si pasojë e të shtënave në atë zonë.” Detajet e incidentit dhe rrethanat në të cilat ajo u qëllua janë në proces hetimi”. /Reuters
Përgatiti: Ardita Zeqiri – KALLXO.com