Mbledhja solemne në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut për Pavarësinë e Kosovës | Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Erden Atiq: Serbia aspak nuk e fsheh qëllimin e saj dhe ndarjen faktike të shtetit tonë

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka mbajtur seancë solemne për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2025.

Duke uruar qytetarët e Republikës së Kosovës, kryetari i kësaj komune, Erden Atiq tha se rruga për të arritur në këtë ditë ishte e gjatë dhe aspak e lehtë.

“Përvoja na ka mësuar ne shqiptarëve se po aq sa e festojmë, duhet të luftojmë për sfidat që i kemi përpara. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia aspak nuk e fsheh qëllimin e saj, destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen faktike të shtetit tonë”- tha Atiq.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin kujtoi dëshmorit që dhanë jetën e tyre për ta festuar këtë ditë.

“Ju përcjell urimet më të sinqerta të gjithë qytetarët e komunës tonë dhe mbarë Kosovës. Kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë që dhanë jetën për këtë ditë”- tha ai.

Gjithashtu zëvendëskryeuesi i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku uroi qytetarët për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Të dashur mitrovicali, urime 17 Shkurti, dita e shtetësisë së Kosovës. Besoj që Kosova e re dhe e vogël do të jetë e madhe që të sigurojë ardhmëri të ndritshme për të gjithë ne”- tha Sadiku.

Në sallën e Kuvendit Komunal, përves asamblistëve, të ftuar ishin edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit. 

Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.

Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.

Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës. 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.