Mitrovica veriore - Foto: REL

Erden Atiq merr përkrahjen e shumicës së partive politike për kandidat për kryetar në Mitrovicën e Veriut

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, VAKAT, Shoqëria Civile dhe përfaqësues të tjerë të komuniteteve pakicë, janë bërë bashkë sot në Mitrovicë të Veriut, për të mbështetur kandidaturën e Erden Atiq, që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të garoj për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike dhe organizata të Shoqërisë Civile, u mblodhën për të diskutuar e për t’u dakorduar për zgjedhjet komunale të këtij viti.

Njëzëri, ato u pajtuan që Erden Atiq, të jetë kandidatë për kryetar në këtë komunë, ndërsa Skender Sadiku të jetë bartës i listës për asamble komunale në Mitrovicën e Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, tashmë kandidati për kryetar, Erden Atiq.

“Nuk e kemi finalizuar ende veç se jena marr vesh për kandidatë dhe unë kam me qenë kandidati për kryetar komune dhe Skender Sadiku bartës i listës për asamble komunale”, tha ai.

Atiq thotë se është ende herët të flitet për rezultatet, mirëpo ai theksoi se janë bashkuar të gjitha subjektet politike në mënyrë që të bashkohen votat e jo sikurse ka ndodhur zgjedhjeve të kaluara.

“Iniciativa qytetare” është vendosur emri i listës aktualisht mirëpo, Atiq thotë se janë edhe disa propozime tjera për të cilat do të vendoset orëve apo ditëve në vazhdim.

“Qëllimin e kemi me i kapitalizu me i grumbullu të gjitha votat në një listë që me dal sa më fuqishëm kundër listës serbe”, thotë tutje ai.